Sukseset në Europë, Seria A është shumë pranë skuadrës së pestë

Paraqitjet e skuadrave italiane këtë javë në turnetë ndërkombëtarë, i kanë dhënë një tjetër shtysë Serisë A, që është shumë pranë sigurimit të një vendi ekstra në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm, duke shkuar nga 4 në 5 skuadra.

Fitoret e Milanit, Romës dhe Fiorentinës, të cilëve u shtohet barazimi i Atalantës, kanë ndihmuar italianët të thellojnë diferencën me Gjermaninë që i ndjek në renditjen e përkohshme të UEFA-s për sezonin e fundit.

Që nga edicioni i ardhshëm me ndryshimin e formatit të Ligës së Kampioneve, dy vende në fazën në grupe i shkojnë kampionateve që kanë bërë më mirë në arenën ndërkombëtare në vitin paraardhës.

Aktualisht, Italia është ajo që mban vendin e parë sezonal falë paraqitjes së klubeve të saj që po regjistrojnë rezultate të rëndësishme. Ajo është e avantazhuar për vendin e parë shtesë pasi ka 16,571 pikë.

Kampionati që e ndjek më afër, në vendin e dytë që do të siguronte edhe ai një ekip shtesë në Champions, është ai gjerman me koeficientin 15,500.