“A e fuqizoi Berishën shpallja non grata?” Ambasadori britanik: Duhet të përmirësojmë përgjegjësinë e t’i japim fund mosndëshkimit

Në një intervistë të dhënë për News 24,  ambasadori britanik Alastair King-Smith, u ndal ndër të tjera te reforma në drejtësi si edhe shpallja e kreut të demokratëve, Sali Berisha, non grata.

Ndërsa nuk preferoi që të fliste me emra, ai tha se  ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, ta dinë se nuk do t’u shpëtojnë veprimeve tona.

I pyetur për vendimin ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha i cili u shpall non-grata nga Britania si edhe për akuzat e Berishës, ndaj tij, ai ritheksoi se nuk do të komentojë duke shtuar: “Kemi nevojë të shohim më shumë veprim dhe gjithashtu më tepër mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të mund t’i shohim aktualisht këto institucione të lulëzojnë.”

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Britania e Madhe e ka bërë të qartë se nuk do ti bëjë publik emrat e shpallur non-grata. Cilat ishin indiciet që çuan në marrjen e një vendimi të tillë ndaj zotit Berisha?

Përgjigje: Ju, nuk do të prisnit nga unë që të komentoja për rastet që janë nën procedim ligjor apo objekt i hetimeve në vazhdim. Kështu që, nuk do të komentoj detajet. Por, ajo që do të them, është se ne kemi nevojë të shohim më shumë veprim dhe gjithashtu më tepër mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë me qeverinë e Shqipërisë, në mënyrë që të mund t’i shohim aktualisht këto institucione të lulëzojnë. Por, unë shoh një vendosmëri të vërtetë nga ana e institucioneve të pavarura për të zbatuar drejtësinë, për të zbatuar sundimin e ligjit dhe për të rritur përgjegjësinë. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për ne. Ne duhet të përmirësojmë përgjegjësinë dhe t’i japim fund mosndëshkimit. Në mënyrë që, ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, ta dinë se nuk do t’u shpëtojnë veprimeve tona. Nuk mendoj se duhet të ketë presion mbi institucionet e pavarura, por përkushtim dhe mbështetje, gjë që ne e bëjmë. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes prokurorëve këtu dhe shërbimit tonë të prokurorisë së Kurorës. Kemi gjithashtu, një angazhim të shkëlqyer mes të gjitha autoriteteve tona të zbatimit të ligjit. Pra, duhet të vazhdojmë kështu. Duhet të forcohemi, dhe pa dyshim, të vlerësojmë aftësitë, në mënyrë që të mbështesim fort njëri-tjetrin. Nuk duam të shohim presion të jashtëm të panevojshëm mbi asnjë institucion, siç e thashë edhe më parë, por duam të shohim mbështetje për këto institucione dhe t’u japim atyre siguri dhe besim më të fortë për të ardhmen. Siç njoftova në muajin korrik, ashtu si edhe i dërguari ynë i posaçëm në atë kohë, Sir Stuart Peach, ne do të do të vazhdojmë të marrim masa për të përmirësuar përgjegjësinë dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit për ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion, veprime që i ndërmorëm në korrik me valën e parë të një sërë masave. Kur bëhet fjalë për veprime përçarëse ndaj emigracionit, ne nuk bëjmë të ditur emra. Nuk i diskutojmë ato. Këto janë çështje që janë objekt i procedurave ligjore dhe që ne nuk i publikojmë kurrë globalisht. Pra, natyrisht, as unë dhe askush tjetër nuk ka komentuar mbi ata individë, apo numrin e njerëzve të përfshirë. Ajo që bëmë ishte shpallja e politikës dhe ajo politikë mbetet. Është një qeveri e Mbretërisë së Bashkuar. Vendimet fillestare miratohen nga Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Punëve të Jashtme. Dhe këto janë çështje që në thelb trajtohen në përputhje me procedurat tona standarde. Ndaj nuk do të hyj në detaje për sa i përket situatave individuale, por ajo që do të them është se ky nuk është fundi, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa, dhe ata që janë të përfshirë në krim dhe korrupsion duhet ta dinë se se nuk gëzojnë pandëshkueshmëri për veprimet e tyre. Tani, duam të shohim që mosndëshkimi të marrë fund këtu në Shqipëri, ndaj do të vazhdojmë të forcojmë institucionet që mund të sjellin drejtësi këtu, por gjithashtu do të ndërmarrim masa kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të popullit britanik dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Pyetje: Ishin SHBA-të që morën një vendim të tillë ndaj biznesmenë e politikanë. A ka pasur ndikim nga SHBA në marrjen e këtij vendimi apo ishte vendim i pavarur i Britanisë?

Përgjigje: Qeveria britanike i merr këto vendime plotësisht në mënyrë të pavarur, në interes të vendit tone; dhe kur njerëzit nuk konsiderohen më të dobishëm për të mirën publike të popullit britanik. Kjo është mënyra si i marrim këto vendime dhe kështu do të vazhdojmë t’i marrim.

Cili është problemi me Damir Fazllic, fakti që ju e konsideroni si një lidhje të papërshtatshme me zotin Berisha, cili është problemi me këtë personazh?

Përgjigje: Klodiana, nuk do t’ju habisë fakti që kur çështjet janë objekt procedimi ligjor, nuk do të hyj në detaje për persona individualë, por thjesht do të ritheksoj se këto çështje do të trajtohen në përputhje me shtetin ligjor; sipas proceseve që kemi shumë qartë në Britaninë e Madhe; dhe ato procese do të ndiqen ashtu siç duhet.

Pyetje: Pavarësisht masave drastike të marra ndaj zotit Berisha ai ka marrë kryesimin e PD, a nuk mendoi se duke mos dhënë detaje, po e bëni më të fuqishëm zotin Berisha?

Përgjigje: Nuk më takon mua të komentoj politikën e brendshme këtu në Shqipëri. Por kjo është një kohë kur besoj se njerëzit në Shqipëri kanë një shans për të bërë zgjedhjen e tyre. Ne presim me padurim zgjedhjet lokale dhe më pas zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme dhe shpresojmë dhe i bëjmë thirrje popullit dhe partive që të zgjedhin kandidatë të lirë nga krimi dhe korrupsioni, në mënyrë që Shqipëria të ndjekë një trajektore pozitive. Mendoj se është shumë e rëndësishme që në funksion të zgjedhjeve vendore, partitë të zgjedhin kandidatë të lirë nga krimi dhe korrupsioni.

Pyetje: Fakti që keni marrë një vendim të tillë për zotin Berisha, do të thotë që qeveria juaj ka një vendim të tillë, apo dosje , apo prova. A do ti përcillen këto prova institucioneve të qeverisë shqiptare

Përgjigje: Përsëri, theksoj se nuk do të komentoj për raste individuale. Natyrisht, ne kemi një partneritet midis institucioneve të drejtësisë këtu dhe institucioneve të drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar. Aty ku ka kërkesë për ta bërë këtë, por nuk do të komentoj për raste individuale.

Berisha ju etiketoj si një burokrat të korruptuar, a keni një përgjigje?

Përgjigja: Nuk kam ndërmend të bëj komente konkrete veçse të them se në një kohë kur zgjedhjet lokale po afrohen, ne e dimë që politikanët ndonjëherë bëjnë akuza dhe përpiqen të bëjnë deklarata në mbështetje të qëllimeve të tyre politike. Ky nuk është roli i ne diplomatëve, dhe si ambasador britanik, unë jam këtu për të përfaqësuar qeverinë dhe popullin britanik. Do të sigurohem të bëj këtë. Do t’i shpjegoj sa më qartë politikat e qeverisë britanike. Por nuk më takon mua të shkëmbej akuza apo komente.

Pyetja: Akuza kaq të forta a mund të anashkalohen kaq lehtë?

Përgjigja: Siç thashë, roli im këtu është të përfaqësoj qeverinë dhe popullin britanik dhe unë do të vazhdoj ta bëj këtë. /abcnews.al/

Lexo me shume