Abuzimi me detyrën dhe dhuna ndaj qytetarëve, qeveria rikthen kamerat e trupit për Policinë e Shtetit

Rastet e shumta të dhunës policore, abuzimit me detyrën dhe tejkalimit të kompetencave gjatë ndalimit, por edhe vdekjet e të rinjve nëpër komisariate, po detyrojnë qeverinë që të rikthejnë sërish kamerat e trupit për punonjësit e Policisë së Shtetit. Konfirmimin e ka dhënë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa po prezantonte në Komisionin për Sigurinë Kombëtare buxhetin e vitit 2023.

“Kamerat e trupit e kanë sistemin e ngritur dhe fondi nuk është shumë i madh, por tërësisht i përballueshëm brenda buxhetit të vitit 2023. Është në nivelin e 60 milionë lekëve në vit, një shumë që mund të përballohet nga buxheti i shtetit”, ka thënë Ministri i Brendshëm.

Kamerat e trupit për punonjësit e Policisë së Shtetit u vendosën në kohën kur ministër ishte Saimir Tahiri, por më vonë u hoqën befasisht pa dhënë shpjegime të qarta. Dukej se lëvizja ishte e qëllimshme për të fshehur abuzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe shkeljen e ligjit nga ana e tyre. Një raport i Mbikëqyrjes Policore vetëm për vitin 2021 tregonte rreth 1600 raste të evidentuar të abuzimit të punonjësve të policisë, kapërcimet etike dhe sjelljet në kundërshtim me ligjin karshi qytetarëve. ©LAPSI.al

Lexo me shume