Afron fushata elektorale/ Rama i qan hallin biznesit: Më pak gjoba nga inspektorët!_66437a958125f.jpeg

Afron fushata elektorale/ Rama i qan hallin biznesit: Më pak gjoba nga inspektorët!

Me afrimin e zgjedhjeve, qeveria bëhet gjithnjë e më e butë dhe më e mirëkuptueshme për individin dhe biznesin. Ndëshkimet shndërrohen në këshilla dhe gjobat thuajse zhduken për qytetarët e thjeshtë. Me këtë logjikë ka folur sot kryeministri Edi Rama në një takim në “Shtëpinë e Biznesit” me përfaqësues të biznesit për të folur rreth reformës së re për inspektimet e bizneseve.
Ndryshe nga herët e tjera, Rama u qau hallin bizneseve se janë viktima të gjobave të inspektorëve.
“Sot është një pikë e dobët, pavarësisht investimeve që janë bërë, në inspektime. Por nga ana tjetër e dimë shumë mirë që ky presion vijon të jetë dhe nuk mund të justifikohet pasi mund të bëjmë një kapërcim tjetër. Një reformë e inspektoriateve. Një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre. Një bashkim i një sërë funksionesh që janë të ndara, në një grup inspektoriatesh, një shkëputje nga ministritë për të dalë si një forcë e re dhe autonome në veprimtarinë e vet nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit. Të krijojmë bazën për një fazë të re duke ndryshuar qasjen por edhe përmbajtjen e kornizës së shtetit në figurën e inspektorit, në një status të ri” tha kryeministri.
Kryeministri tregoi edhe se ankesat do të bëhen tashmë edhe në prani të përfaqësisë nga trupat e biznesit për të rritur transparencën, pasi shteti është për t’i shërbyer biznesit dhe jo e kundërta.

“Nuk do të jetë një trup që edhe do vendos gjoba dhe të marrë në shqyrtim ankesa. Ankesat do të bëhen edhe me trupat e apelimit në përfaqësinë e trupave të bizneseve, për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet dot. Përtej kësaj, do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Nuk është biznesi për ti shërbyer shtetit, është shteti për ti shërbyer biznesit. Do të jetë shteti që do të hedh gjithmonë hapin e parë, për të shkuar më larg në procesin e shtet bërjes dhe më pranë krijimit të një shteti anëtar të BE, vizita e parë nuk ka gjobë, këshillim”, nënvizoi kryeministri.
Heqja e inspektorëve është një refren që përsëritet vazhdimisht nga kryeministri Rama dhe që e ka origjinën që në fushatën e tij të parë për kryeministër, thuajse 15 vjet më parë.

Burimi