Agron Shehaj denoncoi se u bë terror në biznesin e tij, Rama: Ke marrë zjarr, ndërtesa është e paligjshme

Deputeti demokrat Agron Shehaj bëri pasditen e sotme një denoncim të fortë në Kuvend. Papritur, nxorri një foto të disa forcave të policisë për të cilët tha se ndodhen brenda biznesit të tij. Shehaj, një zë i fortë brenda opozitës, zbuloi se prej dy javësh policia ka sekuestruar de facto biznesin e tij, duke i bllokuar hyrjen çdokujt.

Shehaj zbuloi se nga Prokuroria ka marrë një përgjigje të qartë. Se nuk ka urdhër për sekuestro drejtuar biznesit të tij.

Shpjegimi që deputeti demokrat dha nga foltorja e Kuvendit mund të përmblidhet në një fjalë. Hakmarrje. Sipas Agron Shehajt, Edi Rama është hakmarrë për të gjitha denoncimet që deputeti vetë ka bërë për abuzimet e qeverisë. Ai numëroi disa, nga inceneratorët, tek përfshirja e familjarëve të Olta Xhaçkës si investitorë strategjikë, apo edhe abuzimin në Butrint me të përfshirë të afërmit e Damian Gjiknurit. ©LAPSI.AL 

 

Kryeministri Rama i është përgjigjur Shehajt me anë të një statusi në Twitter.  Rama shkruan se ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe gjithashtu ka dalë vendimi i konfiskimit.

Rama: Deputeti Agron Shehaj paska marrë zjarr nga sulmi policor i orkestruar politikisht mbi biznesin i tij, që ia paska mbyllur policia e regjimit për t’i mbyllur gojën zotit Agron! Pyes dhe ç’të dëgjoj?! Zoti Deputet që bërtet për shtet e paska futur biznesin në një ndërtesë pa leje!

Ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit. Deputeti me biznesin e tij janë gjetur brenda ndërkohë që pronari pretendonte se e kishte hotel!

Duket e pamundur që një deputet të bëjë biznes në një ndërtesë të paligjshme dhe t’i turret Policisë nga mikrofoni i parlamentit, duke marrë pozën e një viktime të regjimit për fjalën e tij lirë, por kur merr vesh që ky tip është një ballist foltoreje atëherë shpjegohet gjithçka!

 

Lexo me shume