AKU: Kontrollet për sigurinë ushqimore sipas BE-së, garantojmë konsumatorin nga ferma në tavolinë

Autoritetet e sigurisë ushqimore në vend po ashtu, vunë në dukje se vendi ynë aplikon plan unik të njëjtë me vendet e Bashkimit Europian, për kontrollin e mbetjeve të produkteve veterinare në kafshë të gjalla dhe produkte shtazore, duke garantuar siguri ushqimore në tregjet e vendit dhe mbrojtje të shëndetit të konsumatorit.
Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) Jeta Deda dhe drejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV) Roland Meçaj, deklaruan sot në një konferencë të përbashkët për shtyp se, “kontrolli i produkteve sipas këtij plani, përcaktohet me formulë të gatshme sipas direktivave të BE dhe aplikohet në bazë të prodhimit kombëtar për produktet e mjaltit, vezëve, peshkut etj.”.
Meçaj tha se, në vitin 2022 është rritur numri i kampioneve të cilat analizohen.
“Janë planifikuar 1958 kampione, 500 kampione më shumë se niveli minimal detyrim në planifikim mbi bazë të prodhimit vjetor për produktet bujqësore. Për këto 1958 kampione janë realizuar 3041 analiza, pra një mesatare 1.5 analiza për një kampion. Nga këto kanë rezultuar 59 raste mbi normë pra rreth 3 % e totalit. Çdo rast jo konform është ndjekur bazuar në ligj nga strukturat përgjegjëse për të zbuluar hallkën e zinxhirit e cila ka nevojë të përmirësohet”, tha Meçaj.
“Qëllimi i këtij monitorimi është mbulimi i kontrollit të të gjithë zinxhirit ushqimor nga kafshët, tek farmacitë veterinare dhe deri te konsumatori final”, deklaroi Meçaj.
Drejtoresha e AKU-së, Jeta Deda deklaroi se “Ministria e Bujqësisë ka prioritet sigurinë ushqimore nga ferma në tavolinë”.
“Produktet bujqësore shqiptare janë të pastra nga mbetjet e pesticideve dhe këtë fakt e konfirmojnë eksportet në rritje të prodhimeve bujqësore shqiptare, që në vitin 2022 prekën shifrën e 242 mijë tonë eksporte në 80 shtete  të botës”,  theksoi Deda.
Ajo informoi publikun se përdorimi dhe kontrolli i mbetjeve të pesticideve në produktet bujqësore, kryhet bazuar në planin me bazë risku për bizneset dhe kulturat bujqësore, plan siç tha Deda, “është hartuar me mbështetjen e ekspertizës më të mirë europiane”.
Për të forcuar sigurinë ushqimore në vendin tonë, me mbështetjen e BE-së përmes projektit IPA për Sigurinë Ushqimore, dhe me ndryshimet ligjore të ndodhura, nga viti 2022 aplikohet dhe regjistri i përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve në fermë (fletorja e fermerit, e cila kontrollohet dhe në pikat e grumbullimit nga AKU).
Deda bëri të ditur se, nga totali i eksporteve bujqësore, në sistemin alert RASFF (sistemi i njoftimit të menjëhershëm për ushqimin) të Bashkimit Evropian, janë sinjalizuar vetëm 5 ngarkesa gjatë të gjithë vitit.
Sipas saj, pesticidi i konstatuar si mbetje në këto ngarkesa është përfshirë menjëherë në planin e monitorimit të këtij viti.
“Siguria ushqimore është një proces në zhvillim i cili mbështetet në monitorim, ndjekje të rasteve jo konform dhe përmirësim të parametrave të ndryshëm. Është e rëndësishme të mos bëjmë politikë mbi sigurinë ushqimore, duke përhapur panik për produktin bujqësor vendas, kur nuk është ky rasti, por të lejojmë strukturat që të bëjnë punën e tyre, me rigorozitet dhe në funksion vetëm të konsumatorit”, deklaroi drejtoresha e AKU-së, Jeta Deda./Etleva Xhajanka/

Burimi