Akuza për shantazh/ Prokuroria kërkon hapjen e celularëve të adoleshentëve të përfshirë në ngjarjen e Klosit

Ngjarja e së mërkurës që tronditi mbarë opinionin publik jo vetëm në Klos, vijon të jetë temë e ditës. Deri tani dyshohet se gjithçka ka nisur pas një shantazhi që i bëhej në rrjete sociale vajzës së autorit të dyshuar të masakrës Fiqiri Mjeshtri.

 

Në fakt ky ishte edhe versioni i dhënë një ditë më parë nga vëllezërit e Fiqiriut. Sipas tyre, të rinjtë Kenado Shira e Renato Hasula shantazhonin mbesën e tyre e për këtë ishte kërkuar sqarim.

 

Xhaxhai i vajzës, Fatmiri tha se të rinjtë e shantazhonin me foto nudo, të cilat sipas tij i kishin marrë nga adresat e saj të rrjeteve sociale. Kjo ka bërë që vajza të kalojë në depresion dhe babai i saj Fiqiriu, i ka thirrur për sqarim por dhe për të lidhur një miqësi ndoshta të “pa dëshiruar” por e diktuar nga rrethanat.

 

Dyshohet se ka qenë pikërisht kjo kërkesë që është refuzuar nga ana e Kenado Shirës, që ka shtyrë Fiqiriun të përdorë armën ndaj tyre.

 

Deri tani nuk ka asnjë reagim publik nga ana e familjes Shira, por as nga familja Hasula, ky dy pjestarët e saj ndodhen në spitalin e Traumës.

 

Familja Shira nuk ka pranuar që mediat t’i afrohen banesës së tyre një ditë më parë.

 

Nisur nga kjo, për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen, Prokuroria e Matit ka kërkuar hapjen e celularëve të adoleshentëve që janë marrë nga grupi hetimor ditën e ngjarjes.

 

Me këtë prokuroria kërkon të provojë akuzat e familjes Mjeshtri dhe për të zbardhur dinamikën e tragjedisë së rëndë të ditës së Mërkurë ku Fiqiri Mjeshtri vrau në qendër të Klosit, Liri e Kenado Shirën, plagosi Eglantin e Renato Hasulën, e më pas i dha fund jetës së tij pranë banesës në fshatin Dars.

Lexo me shume