Ambasadorja e BE: Realiteti gjeopolitik ka afruar BE me Ballkanin, Shqipëria nën monitorim të imtësishëm

Ambasadorja e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë i ka dorëzuar zv/Kryeministres Belinda Balluku raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.

Gjatë një takimi në Kryeministri, ambasadorja e BE vuri në dukje se lufta e Rusisë në Ukrainë ka afruar edhe më shumë Bashkimin Europian me Ballkanin Perëndimor.

“Realiteti i ri gjeopolitik, lufta e Rusisë, i ka afruar më shumë BE dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ka kërkuar solidaritet të plotë të të dyjave palëve. Kjo situatë e ka vendosur edhe njëherë zgjerimin e BE në krye të axhendës. Perspektiva e anëtarësimit në BE është një spirancë e fortë jo vetëm për begatinë, por edhe për paqen. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e saj strategjik dhe për rolin e saj si partnere e besueshme e Bashkimit Europian”.

Ambasadorja e delegacionit të BE vuri në dukje gjithashtu se tashmë Shqipëria ka hapur negociatat për anëtarësim do të jetë nën monitorim më të rreptë nga BE-ja.

“Jemi në një fazë të re të procesit për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Ne nuk duam të humbasim as edhe një moment. Raporti i Komisionit i këtij viti për Shqipërinë, ofron situatë të drejtë për situatën në të cilën gjendet vendi, dhe ofron edhe udhëzime për hapat që duhet të ndjekë Shqipëria. Shqipëria tashmë bëhet pjesë e ligës së parë. Do të thotë që keni raste të arrini vende të tjera, por do të thotë që Shqipëria do të jetë në monitorim të imtësishëm. Vlerësimi i raportit është që Shqipëria ka vazhduar të ketë në fokus axhendën e reformave të BE-së”, theksoi ambasadorja. /tvklan.al

Lexo me shume