“Ambicia ime, Tirana kryeqyteti digjital i Europës Juglindore”. Veliaj pret Kryetarin e Bordit të AADF, Michael Granoff_66436ddf8229e.jpeg

“Ambicia ime, Tirana kryeqyteti digjital i Europës Juglindore”. Veliaj pret Kryetarin e Bordit të AADF, Michael Granoff

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Kryetarin e Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, me të cilin ndau lajmin e mirë për dy projekte të reja, që priten të nënshkruhen së shpejti për ta kthyer Piramidën e Tiranës, në qendrën më të madhe teknologjike, jo vetëm në vend, por në të gjithë rajonin.
Duke u ndalur te transformimi i Piramidës, edhe me financimin e AADF-së, Veliaj shpalosi ambicien për ta kthyer Tiranën në kryeqytetin digjital për Europën Juglindore. Ai tha se tashmë Piramida është kthyer në një destinacion për shqiptarët, por sidomos për turistët.
“Me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kemi një histori të jashtëzakonshme suksesi me Pazarin e Ri, ku është rritur ndjeshëm vlera e pronës në atë zonë, duke sjellë një stil të ri menaxhimit – nga një aset i degraduar që ishte dikur, sot ka një vlerë të madhe, dhe fakti që është mbushur me aktivitete, duke u bërë një vatër e turizmit intensive në Tiranë, na bën të mendojmë se ishte investimi i duhur. Por, qershia mbi tortë është Piramida, e cila rezulton të jetë vendi më i fotografuar dhe më i vizituar i Tiranës, ku përqëndrohet numri më i madh i turistëve”, tha Veliaj.
Si qëllim kryesor i projekteve të reja që pritet të zbatohen, kryebashkiaku Veliaj tha se është thellimi i njohurive digjitale për të apasionuarit pas teknologjisë mbi moshën 18 vjeç.
“Rreth 1600 fëmijë çdo muaj ndjekim kurse te Piramida. Kjo nënkupton se brenda një viti do kemi rreth 20 mijë fëmijë nga Tirana, që do të marrin aftësi digjitale. Pyetja është: Çfarë do të bëjnë pas moshës 18 vjeç? Me kolegët francezë po diskutojmë për një bashkëpunim me “Ecole-42”. Kryeministri e ka ngritur si çështje, jemi shumë afër një marrëveshje, ku të kemi mundësi që, për studime të avancuara, pas moshës 18 vjeç, të prodhojmë vërtet një ekosistem. Janë punë që paguhen më mirë, të rinjtë ngelen në Shqipëri, nuk ka nevojë të shkojnë jashtë fizikisht. Madje, shumë kompani po sjellin edhe stafin e tyre në Shqipëri, për të punuar nga këtu. Ambicia ime është që Tirana të jetë kryeqyteti digjital i Europës Juglindore”, shtoi ai.
Veliaj dha lajmin e mirë se me AADF-në po punohet edhe për një tjetër projekt, që ka të bëjë me lidhjen e Liqenit të Farkës me Liqenin Artificial të Tiranës, përmes një parku linear që mund të përdoret nga të gjithë.
“Na mundëson që qyteti të shijohet nga të gjithë, ofron një demokraci në përdorimin e parqeve tona. Besoj se, ashtu si te Piramida dhe Pazari i Ri, ku kemi prodhuar një histori suksesi, qepja e këtyre tre parqeve si një çentro e gjelbër e Tiranës, për t’u aksesuar nga të gjithë, do të jetë gjithashtu një histori suksesi”, tha ai.
Duke i cilësuar të suksesshme të gjitha projektet e zbatuara në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff foli për programet që synohet të integrohen te Piramida e Tiranës për edukimin e mëtejshëm digjital jo vetëm të fëmijëve, por edhe të të rriturve.

Burimi