Anulimi i vendimit për taksat sjell rritjen e vlerës së paundit, ndërsa kostot e huamarrjes bien

Paundi ka shënuar rritje, pasi kancelari i Mbretërisë së Bashkuar anuloi vendimin e tij tepër të diskutueshëm për të hequr normën më të lartë të taksimit.
Sterlina pati rritje të vlerës me më shumë se 1%, duke shkuar në 1,1284 dollarë, përpara se të pësonte një ulje të vogël pas reduktimit të kostove të huamarrjes së qeverisë.
Deputetët konservatorë kishin kërcënuar se do të votonin kundër planit të Kwasi Kwarteng, duke thënë se ai ishte i padrejtë në rrethanat kur kostot e jetesës ishin kaq të larta.
Anulimi i këtij vendimi mund të lehtësojë tensionet në treg, tha Instituti për Studime Fiskale, por vazhdojnë të mbeten shqetësimet lidhur me faktin se si do të financohen 43 miliardë paund që vijnë nga reduktimet e taksave.
“Kjo nuk përbën ndonjë ndryshim të parëndësishëm,” tha Paul Johnson, drejtor i Institutit për Studime Fiskale.
Kancelari u zotua se do të heqë normën e taksës prej 45 për qind, e cila paguhet nga njerëzit që fitojnë më shumë se 150,000 paund në vit.
Heqja e kësaj norme do t’i kushtonte Thesarit rreth 2 miliardë paund nga reduktimet e taksave me vlerë totale prej 45 miliardë paund, të shpallura nga Kwarteng në të ashtuquajturin “mini-buxhet”.
“Kjo ishte ndoshta masa më e vogël nga pikëpamja fiskale, nëse jo nga pikëpamja politike, në këtë mini-buxhet,” tha Johnson.
“Bëhet fjalë vetëm për 5% të shumës totale të uljes së taksave”.
Ulja e nivelit më të lartë të taksës për ata që fitojnë më shumë ngjalli zemërim në mesin e deputetëve të opozitës dhe atyre konservatorë. Tregjet u tronditën nga shqetësimet se këto reduktime të pafinancuara të taksave ishin të papërballueshme për buxhetin. Kancelari gjithashtu refuzoi të publikojë një vlerësim të pavarur të planeve të tij nga Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore.
Javën e kaluar, paundi arriti një nivel të ulët rekord dhe Banka e Anglisë u detyrua të ndërhyjë për të frenuar kostot e larta të huamarrjes së qeverisë.
Tony Danker, kreu i Konfederatës së Industrisë Britanike, përshëndeti anulimin e këtij vendimi për taksat, duke thënë se qetësimi i tregjeve ishte një “parakusht absolut për investime të mëtejshme dhe rritje ekonomike”.
Ai shtoi se heqja e kësaj takse i kishte “shpërqendruar” njerëzit nga reformat e tjera të rëndësishme që nxisin rritjen dhe që janë pjesë e këtij mini-buxheti. Kancelari pritet t’ shpallë këto reforma në ligjet e pronave, në energjinë e gjelbër, në kujdesin ndaj fëmijëve dhe në shumë aspekte të tjera gjatë javëve të ardhshme.
Por, Danker shtoi: “Mendoj se ne do të kalojmë nëpër një sprovë tjetër, që është kjo: a po thotë të vërtetën kancelari kur deklaron se ai synon të reformojmë anën e ofertës së ekonomisë… sepse mendoj që kjo është realisht gjëja që duhet bërë.”/BBC

Burimi