Armëm drogë dhe municion luftarak, 2 të arrestuar në Tiranë

Tiranë

Finalizohen nga Komisariati i Policisë Nr. 2, brenda 24 orëve, 2 operacione policore të koduara “Zastava” dhe “Dealer 3”.

Gjatë operacionit policor të koduar “Zastava” u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. U vu në pranga një 31-vjeçar, i shpallur në kërkim për mashtrim.

Gjatë operacionit policor të koduar “Dealer 3” u sekuestruan doza me lëndë narkotike kanabis, u vu në pranga 24-vjeçari që i posendonte, i dënuar më parë për vjedhje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionet policore të koduara “Zastava” dhe “Dealer 3”.

Gjatë operacionit policor të koduar “Zastava”, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Xh., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Sjërbimet e Policisë, në vendin e quajtur ish-Parku, kanë lokalizuar shtetasin E. Xh., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 31-vjeçari ishte i shpallur në kërkim pasi ka përvetësuar, shumën prej 5000 euro, nga një shtetas, me pretendimin se do t’i blinte një automjet.

Gjatë operacionit policor të koduar “Dealer 3”, u arrestua në flagrancë shtetasi D. A., 24 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Zef Jubani”, kanë lokalizuar shtetasin D. A., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike, e ndarë në doza, gati për shitje.
Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa, në rrugën “Zef Jubani”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Lexo me shume