Arrestimi i Gentian Malindit, policia njoftim zyrtar: Iu gjetën mbi 12 mln lekë dhe dokumente false, ku u kap

Policia e Tiranës ka reaguar pas arrestimit të Gentian Malindit në Vorë.

Ky i fundit ishte shpallur në kërkim në vitin 2019 pasi akuzohej për trafik kokaine.

“46-vjeçari, me masë sigurie “Arrest në burg”, dyshohet si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se do të trafikonte drejt Shqipërisë, 137 kg lëndë narkotike kokainë, në vitin 2019”, thueht në deklaratën e policisë.

Janë sekuestruar shuma parash, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, që ky shtetas i mbante me vete, si dhe automjeti i tij.

Kapja e tij u bë në afërsi të urës së Gjolës.

Lexo edhe: Në kërkim për 137 kg kokainë, arrestohet në Vorë Gentian Malindi

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 1050 euro, 11 500 lekë të rinj, 3 aparate celulare dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Gentian Malindi për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, pasi qarkullonte me dokumente identifikimi kosovare, të falsifikuara.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kuito”.

Operacioni ndërkombëtar i koduar “Kuito” u finalizua në shtator 2019, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese greke, në koordinim me zyrën e DEA-s në Athinë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë.

/Abcnews.al/

 

 

Lexo me shume