Avancimeve ukrainase, Rusia pritet të evakuojë civilët nga Hersoni

Lideri i instaluar nga Rusia në rajonin ukrainas Herson, Vladimir Saldo, u ka bërë thirrje civilëve që të evakuohen, duke përmendur sulmet ditore me raketa nga forcat ushtarake ukrainase. Ai u ka bërë thirrje civilëve që të “shpëtojnë veten” duke shkuar në Rusi për “pushim dhe studime”, si dhe ka kërkuar ndihmën e Moskës.

Kësaj thirrjeje i është bashkuar më vonë zëvendëskryeministri rus, Marat Khusnullin, përmes një mesazhi në televizionin shtetëror.

Ukraina hedh poshtë akuzat se shënjestron civilët e saj. Trupat e saj ushtarake kanë çliruar së fundi disa zona në veriperëndim të Hersonit, dhe i janë afruar qendrës. “Qeveria ka marrë vendim për të organizuar ndihmë për largimin e banorëve nga rajoni i Hersonit për në rajonet tjera të shtetit”, ka thënë Khusnullin.

“Ne do t’i ofrojmë secilit akomodim të lirë dhe gjithçka që është e nevojshme”. Në mesin e armëve tjera, Kievi ka përdorur sistemet raketore amerikane, HIMARS, duke goditur me to shënjestrat ushtarake ruse. Hersoni është kryeqyteti i vetëm rajonal që ka rënë nën kontrollin e forcave ruse prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt. Më herët gjatë këtij muaji, presidenti rus, Vladimir Putin ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Herson, Zaporizhja, Donjeck dhe Luhansk.

Ukraina dhe Perëndimi e kanë dënuar këtë hap, duke thënë se është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Për më shumë, Rusia nuk kontrollon në tërësi këto rajone. Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Lexo me shume