Balla del para gazetarëve dhe i bën thirrje vrasësit të policit: Dorëzohu!_66423d4c1292c.jpeg

Balla del para gazetarëve dhe i bën thirrje vrasësit të policit: Dorëzohu!

Ministri i Brendshëm Taulant Balla e konsideron tepër të rëndë vrasjen e policisë në Fier.
Në një prononcim për mediat në ambientet e jashtme të institucionit që drejton, Balla i ka bërë thirrje autorit të dorëzohet, ndërsa nga policia kërkon arrestimin sa më shpejt të tij.
“Të dyja ngjarjet pothuajse janë zbardhur. Në rastin e dytë, kemi një krim në familje, ndërsa në rastin e Fierit bëhet fjalë siç jam informuar deri tani nga drejtuesit e policisë që janë në territor, dua që të shpreh në këtë rast dhimbjen që ndjej për humbjen e jetës së një punonjësi policie dhe po ashtu të nxis Policinë e Shtetit, drejtuesit e Policisë së Shtetit që të bëjnë gjithçka për arrestimin një orë e më parë të autorit dhe e them shpesh që duhet të bëjmë gjithçcka që në këtë vend të ngulitet mirë në mendjen e kujtdo që është e papranueshme të ngresh dorën ndaj një punonësi police e më rëndë se kaq të përdorësh armën.
Nuk dua të hyj në interpretimin e informacioneve paraprake, ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarje por gjithsesi përgjegjësia e parë që bie mbi Policinë e Shtetit është pjesa që lidhet me identifikmin e menjëhershëm të autorëve. Kam besim që Forca Kombëtare e Sigurisë, forca RENEA dhe gjithë forcat e Policisë së Shtetit të konkludojnë dhe këtu dua t’i bëj thirrje familjarëve dhe vetë personit mbi të cilin rëndon akuza, të dorëzohet”, u shpreh Balla.
Efektivi i forcës “Shqiponja” në Fier, Novruz Cenalia 28 vjeç, u vra me një plumb në kokë në fshatin Baltëz mesditën e sotme. Policia ka identifikuar si autor 23-vjeçarin Asllan Mërnica. Sipas policisë, krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të çastit mes të dyve se kush kishte të drejtën e kalimit në rrugë me makinë.
Autori është në arrati dhe po kërkohet në terren nga forca të shumta policore.

Burimi