Bankat perëndimore në Rusi i kanë paguar Kremlinit 800 milionë euro taksa vitin e kaluar

Bankat më të mëdha perëndimore, që kanë mbetur në Rusi, kanë paguar më shumë se 800 milionë euro taksa vitin e kaluar, një rritje e katërfishtë me nivelet e paraluftës, pavarësisht premtimeve për të minimizuar ekspozimin e tyre rus, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Shtatë bankat kryesore europiane sipas aseteve në Rusi – Raiffeisen Bank International, UniCredit, ING, Commerzbank, Deutsche Bank, Intesa Sanpaolo dhe OTP – raportuan një fitim të kombinuar prej më shumë se 3 miliardë euro në 2023.
Këto fitime ishin tre herë më shumë se në vitin 2021, dhe pjesërisht u gjeneruan nga fondet, që bankat nuk mund t’i tërheqin nga vendi.
Rritja e fitimit, rezultoi në rreth 800 milionë euro tatim, nga 200 milionë euro në vitin 2021. Rritja e shifrës, ishte për shkak të shtesës së fitimeve në huadhënësve amerikanë, si Citigroup dhe JPMorgan.
Taksat e paguara nga bankat europiane, ekuivalente me rreth 0.4 % të të gjitha të ardhurave të pritshme të buxhetit joenergjetik të Rusisë për vitin 2024, janë një shembull se si kompanitë e huaja, që mbeten në vend, ndihmojnë Kremlinin të ruajë stabilitetin financiar, pavarësisht sanksioneve perëndimore.
Huadhënësit e huaj, kanë përfituar jo vetëm nga normat më të larta të interesit, por edhe nga sanksionet ndërkombëtare ndaj bankave ruse. Masa të tilla, i kanë privuar rivalët e tyre nga aksesi në sistemet ndërkombëtare të pagesave, dhe kanë rritur tërheqjen e vetë bankave perëndimore, për klientët në vend.
Më shumë se gjysma e pagesave të taksave prej 800 milionë eurosh, të bankave europiane,  korrespondojnë me Raiffeisen Bank International e Austrisë (RBI) e cila ka praninë më të madhe në Rusi, nga huadhënësit e huaj.

Fitimet ruse të RBI, u trefishuan në 1.8 miliardë euro midis 2021 dhe 2023, duke përbërë gjysmën e fitimit total të grupit austriak, krahasuar me rreth një të tretën para luftës.
Përveç kontributeve të rregullta tatimore në vitin 2023, Raiffeisen pagoi 47 milionë euro si rezultat i një takse të papritur, që Kremlini vendosi për disa kompani vitin e kaluar.
Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, nga Presidenti Vladimir Putin në shkurt 2022, RBI shprehu vazhdimisht planin e saj për të pakësuar operacionet e saj në Rusi. Ajo është përballur, me kritika të vazhdueshme nga Banka Qendrore Europiane dhe Departamenti i Thesarit i SHBA-së, për mospërfundimin e tërheqjes nga vendi.
Edhe pse RBI, ka bërë disa përpjekje për të reduktuar ekspozimin e saj rus – si një rënie prej 56 % në librin e huave, që nga fillimi i vitit 2022 – disa masa tregojnë të kundërtën.
Postimet e fundit të punës nga RBI në Rusi, sugjerojnë plane ambicioze për “zgjerim të shumëfishtë të bazës aktive të klientëve”, ka raportuar FT.
Deutsche Bank, OTP e Hungarisë dhe Commerzbank, kishin reduktuar ndjeshëm praninë e tyre në Rusi, e cila ishte tashmë e vogël në krahasim me RBI, thanë përfaqësuesit e tyre. Intesa është më afër daljes, por ende nuk e ka shitur biznesin e saj rus. UniCredit nuk pranoi të komentojë.
Pavarësisht mbylljes së biznesit të korporatave dhe shitjes me pakicë, Citigroup, huadhënësi i katërt më i madh në SHBA, i cili lëvroi 149 milionë dollarë fitim dhe pagoi 53 milionë dollarë në Rusi në 2023, u bë taksapaguesi i katërt më i madh, në mesin e bankave perëndimore në Rusi, sipas Shkollës Ekonomike të Kievit, sipas llogaritjeve të bazuara në të dhënat e Bankës Qendrore Ruse.
Një tjetër gjigant financiar amerikan, JPMorgan, fitoi 35 milionë dollarë dhe pagoi 6.8 milionë dollarë taksa.
JPMorgan, dikur kontraktori kryesor i bankave ruse, për hapjen e llogarive korrespondente në dollarë amerikanë, është përpjekur të largohet që nga viti 2022. Banka tani është bllokuar dhe përballet me një padi miliona dollarëshe, nga ish-partneri i saj në Rusi, VTB.
Shifrat e bankave amerikane, nuk përfshihen në totalin prej 800 milionë euro.
Huadhënësit perëndimorë, kanë përfituar nga vendosja e sanksioneve, ndaj shumicës së sektorit financiar rus, i cili ka mohuar aksesin në sistemin ndërkombëtar të pagesave ndërbankare Sëift. Kjo i bëri bankat ndërkombëtare, një rrugë shpëtimi financiar midis Moskës dhe perëndimit.
Faktorë të tillë, kontribuan që të ardhurat neto të tarifave dhe komisioneve të RBI në Rusi, të rriten trefish nga 420 milionë euro në 2021, në 1.2 miliardë euro në 2023.
“Nuk është vetëm në interesin e RBI-së, të qëndrojë në Rusi. Banka qendrore e Rusisë, do të bëjë gjithçka që mundet, për të mos i lënë ata të largohen, sepse ka pak banka të pasanksionuara përmes të cilave Rusia, mund të marrë dhe të dërgojë pagesa Sëift”, tha një drejtues i lartë bankar në Rusi.
Sipas ekzekutivit, palët ruse dhe të huaja, tani shpesh shlyejnë pagesat ndërkufitare në rubla, por monedha ruse gjithashtu kalon përmes llogarive në RBI dhe banka të ngjashme, “për të zvogëluar rrezikun e sanksioneve” dhe “për të përshpejtuar procesin”.

Shifrat e kombinuara të të ardhurave, fitimit dhe taksave të bankave ndërkombëtare, kanë rënë që nga viti 2022, por mbeten shumë më të larta se rezultatet e paraluftës.
Bankat kanë përfituar gjithashtu nga rritja e normave të interesit, me normën bazë të bankës qendrore ruse tani në 16 %, pothuajse dy herë më e lartë se para luftës.
Bankat nuk mund të kenë akses në para, të fituara në Rusi për shkak të kufizimeve rregullatore të vendosura në vitin 2022, që ndalonin pagesat e dividentëve nga filialet ruse për bizneset nga vendet “jomiqësore” perëndimore.
“Ne nuk mund të bëjmë asgjë me depozitat ruse, përveç mbajtjes së tyre në bankën qendrore. Pra, me rritjen e normave të interesit, u rritën edhe fitimet tona,” tha një drejtues i lartë në një bankë europiane me një filial në Rusi.
Rreth 20% e pagesave të taksave në buxhetin rus në vitin 2023, të bëra nga OTP, përbëheshin nga taksa mbi dividentët, tha banka. Shumica e fondeve të saj, mbeten të bllokuara në llogaritë e depozitave në Rusi, shtoi ai.
Paratë e bllokuara, paraqesin një pengesë të rëndësishme për daljen nga Rusia. Që nga fillimi i vitit 2022, bankat kanë kërkuar gjithashtu autorizim personal nga Presidenti Vladimir Putin, për shitjen e operacioneve të tyre në Rusi.
Vetëm shtatë banka perëndimore – nga 45 të përfshira në listën e atyre, që kanë nevojë për miratim presidencial për t’u larguar – kanë marrë një autorizim të tillë, duke përfshirë Mercedes-Benz Bank dhe Intesa. / FT

Burimi