Nisma e fundit rreth marrjes në pyetje nga BE u raportua për herë të parë nga Financial Times, përcjell Telegrafi, që kishte siguruar edhe një kopje të dokumentit origjinal. Sipas burimeve, këtë herë BE ka ngritur shqetësime serioze për stabilitetin financiar, pastrimin e parave dhe rreziqet që i kanosen privatësisë.

Vendet evropiane, me në krye Francën janë zotuar të bllokojnë hedhjen e kriptovalutës në tregjet e BE-së, duke thënë se ajo paraqet një rrezik për sovranitetin e monedhave kombëtare. Rregullatorët e privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave në Evropë gjithashtu kanë shprehur dyshime në lidhje me kombinimin e “rezervave të mëdha” të informacionit personal dhe financiar që do të mblidheshin nga zbatimi i një projekti të tillë.

Nga ana tjetër, ndërkohë që anëtarët e Komitetit të Shërbimeve Financiare kanë duke kërkuar dëshmi edhe nga shefi ekzekutiv i Facebook Mark Zuckerberg, lidhur me planet e kompanisë në lidhje me Libran, PayPal ka njoftuar gjithashtu se është tërhequr nga Libra Association, organizata jofitimprurës me bazë në Zvicër, që mbikëqyr projektin. Firma e pagesave PayPal tha se, në vend të kësaj, do të përqendrohet në përpjekjet e saj për “demokratizimin e qasjes në shërbimet financiare”. /Telegrafi/