Bashkitë investuan 160 mln euro për vitin 2023, “diskriminohet” Veriu

Bashkitë e Rajonit Verior të vendit janë më të varfra krahasuar me Jugun dhe Qendrën, por në vend që të favorizohen me financime ato diskrimohen më tej, si nga buxheti qendror edhe nga ndarja e buxheteve lokale.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në vitin 2023 në 12 bashkitë e mëdha të vendit, që përfaqësojnë qendrat e prefekturave, u investuan gjithsej 16,6 miliardë lekë (fondet e veta + transferta e buxhetit qendror) nga 31,6 miliardë lekë të planifikuara.
Nga shuma e investuar prej 16,6 miliardë lekësh (158 milion eurosh) në 12 bashkitë e mëdha vetëm 986 milionë lekë ose 9,3 milionë euro u investuan në bashkitë e Veriut (Lezhë, Dibër, Shkodër dhe Kukës).
Kjo shumë përfaqëson vetëm 5.9% të fondeve totale që u investuan vitin e kaluar nga 12 bashkitë. Nga programi i investimeve në 12 bashkitë e mëdha për vitin 2023 (31.6 miliardë lekë) vetëm 4.8% e fondeve ishin planifikuar për t’u investuar në 4 bashkitë e Veriut.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se bashkitë e Veriut kishin një realizim më të mirë të fondeve në raport me programin krahasuar me bashkitë e tjera.
Në total, të 12 bashkitë e mëdha realizuan vetëm 52% të programit të investimeve më 2023, ndërsa bashkitë e Veriut e realizuan 64% të programit.
Bashkia e Shkodrës dhe Kukësit paraqiten me realizimin më të lartë të zërit të investimeve kapitale përkatësisht me 86% dhe 82% secila.
Nga investimet e realizuara në 12 bashkitë e mëdha gjysma e fondeve janë investuar në Bashkinë më të madhe të vendit në atë të Tiranës, e cila alokoi vetëm 45% të programit të investimeve me 2023. Bashkia e Durrësit u rendit e dyta me 3,3 miliardë lekë investime, me një realizim 58,3%.
Nga 12 bashkitë më të mëdha ajo e Elbasanit kishte realizimin më të dobët të fondit të investimeve me vetëm 30 % të programit, e Korçës me 43.7% të programit dhe e Tiranës me 45 për qind të programit.
Rindërtimi pas tërmetit kishte projektet më të mëdha të investimeve të bashkive më 2023. Projekti më i madh ishte rikonstruksioni dhe riparimi i banesave individuale në Bashkinë e Durrësit me një vlerë të realizuar 1,98 miliardë lekë në vitin 2023 nga 3.5 miliardë lekë të programuara në këtë zë.
Projekti i dytë më i madh ishte rindërtimi i banesave individuale në Bashkinë e Tiranës me një vlerë 1,29 miliardë lekësh nga 1,46 miliardë lekësh që ishin në program.
Projekt i tretë më i madh ishte rindërtimi i objekteve arsimore në Bashkinë Kamze me 927 milionë lekë. I katërti për nga vlera është rindërtimi i banesave individuale në Kavajë me vlerë 636 milionë lekë./B.Hoxha

Burimi