BE, Orban “rebelohet” sërish_663a38a8bb4b2.webp

BE, Orban “rebelohet” sërish

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërkuar që në samitin e javës së ardhshme të liderëve të Bashkimit Evropian të mos merren vendime për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës, ndërkohë që vendi po lufton një pushtim rus, raporton Reuters.
Orban, i cili vazhdoi të ruante marrëdhëniet me Moskën edhe kur BE vendosi një sërë sanksionesh ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë, ka thënë për javë të tëra se Kievi nuk është gati të nisë bisedimet e pranimit.
Qëndrimi i tij është në kontrast me atë të Komisionit Evropian, organit ekzekutiv të Bashkimit Evropian, i cili javën e kaluar rekomandoi që liderët e Unionit t’i japin Kievit dritën jeshile për të filluar negociatat sapo vendi të përmbushë disa kushte.
Vendimi si i tillë kërkon mbështetjen unike të liderëve evropianë.
Orban e bëri kërkesën e tij në një letër që i dërgoi Charles Michel, presidentit të Këshillit Evropian, të hënën. Ai tha gjithashtu se samiti nuk duhet të vendosë për një plan buxhetor që përfshin 50 miliardë euro ndihmë ekonomike për Kievin.
“Apeloj me respekt që të mos ftoni Këshillin Evropian të vendosë për këtë temë në dhjetor, sepse mungesa e dukshme e konsensusit do të çonte në mënyrë të pashmangshme në dështim”, shkroi Orban.
“Këshilli Evropian duhet të shmangë një skenar kundërproduktiv për hir të unitetit, vlerën tonë më të rëndësishme,” shtoi ai.
Bisedimet e anëtarësimit në BE do të ishin një nxitje e madhe për Ukrainën, një ish-republikë sovjetike që po lufton një pushtim ushtarak rus për gati dy vjet.
Zëdhënësi i Michel nuk pranoi të komentonte letrën. Por vendet anëtare e kanë bërë të qartë se duan të diskutojnë anëtarësimin e Ukrainës dhe propozimin e buxhetit në samitin që do të mbahet në Bruksel më 14 dhe 15 dhjetor. /tesheshi.com/