BE ristrukturon rregullat e TVSH-së në përpjekje për të eliminuar mashtrimet financiare

BE-ja ka thënë se vendet anëtare mund të mbledhin deri në 18 miliardë euro më shumë në vit nga tatimi i vlerës së shtuar, nën reformat gjithëpërfshirëse të krijuara për të frenuar një nga llojet më të kushtueshme të mashtrimeve tatimore në Europë.
Komisioni Europian tha se rregullat e reja do ta bënin të detyueshme që kompanitë të cilat operojnë në disa shtete anëtare, të respektojnë të ashtuquajturat standarde të raportimit dixhital në kohë reale duke raportuar menjëherë transaksionet ndërkufitare. Kjo do të ndihmonte në eliminimin e mashtrimeve tatimore në këtë fushë, të njohura shpesh si “mashtrimet karusel”.
Ato përfshijnë kompanitë që importojnë mallra pa TVSH nga një shtet tjetër anëtar, i shesin ato duke i shtuar TVSH-në dhe mbajnë për vete diferencën.
Komisioni tha se ky ndryshim do të sillte në buxhetet e shteteve anëtare deri në 110 miliardë euro për dhjetë vjet, të cilat, në mungesë të këtyre ndryshimeve, do të mbaheshin nga vetë kompanitë që ndërmarrin këto mashtrime financiare.
Plot 6.5 miliardë euro shtesë në vit do të vijnë nga detyrimi i platformave në sektorët e akomodimit dhe të udhëtimit afatshkurtër, të tilla si Airbnb dhe Uber, që të mbledhin dhe të paguajnë TVSH-në për koston e plotë të të gjitha rezervimeve.
Komisioni tha se ky ndryshim do të “modernizonte dhe do ta bënte sistemin e TVSH-së të BE-së që të funksionojë më mirë për bizneset, si dhe më të qëndrueshëm ndaj mashtrimeve tatimore”.
Propozimet, të cilat duhet të nënshkruhen nga çdo shtet anëtar në Këshillin e Bashkimit Europian, kanë shumë gjasa që të kalojnë.
“Ka zero shanse për të dështuar,” tha Richard Asquith, themeluesi i VATCalc, një kompani që kontrollon përputhshmërinë ligjore për TVSH-në, megjithëse ai paralajmëroi se grupet e biznesit mund të lobojnë kundër disa detajeve të këtyre ndryshimeve.
Zbatimi i këtyre propozimeve pritet të bëhet gjatë dekadës së ardhshme, sipas Stephen Dale, president i Shoqatës Ndërkombëtare të TVSH-së, i cili përfaqëson interesat e bizneseve dhe këshilltarëve të përfshirë në TVSH.
TVSH-ja është taksa që sjell më shumë të ardhura nga të gjitha tatimet e tjera të BE-së. Shuma totale e mbledhur në vitin 2020 ishte 1 trilion euro, sipas shifrave të komisionit të publikuara këtë javë.
Megjithatë, komisioni përcaktoi se boshllëku tatimor i TVSH-së – diferenca midis taksave që duheshin mbledhur dhe atyre të mbledhura – është 93 miliardë euro për të njëjtin vit. Të paktën një e katërta e kësaj shifre vjen nga mashtrimet financiare që përfshijnë transaksionet ndërkufitare brenda bllokut.
Këto reforma janë modernizimi më thelbësor i TVSH-së në Europë që nga krijimi i tregut të përbashkët në fillim të vitit 1993, sipas ekspertëve tatimorë./ FT
 

Burimi