“Beleri”, Rama: Ja pra pse s’mund të ketë betim nga burgu…

 
Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar së fundmi një vendim drejtësie mbi Belerin, më saktë atë të Gjykatës së Posaçme, e cila rrëzoi kërkesën për betim nga ana e njeriut që fitoi ngushtësisht Himarën më 14 maj, por që prej atëherë është në burg për blerje votash në pritje për t’u gjykuar.
Në një postim në “X”, Rama shkruan se vendimi i GJKKO është çështje e drejtësisë dhe kurrsesi e politikës, si dhe fort qartë i argumentuar.
“Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:
 

Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

 

Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.

 

Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.

 
Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i ‘çështjes Beleri’ si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur”, shkruan Rama, gjë që pritet të acarojë dhe më shumë Athinën. /tesheshi.com/