Belushi ftesë nga Rama për kanabis, aktori hollivudian tregon bisedën me kryeministrin

Jim Belushi prej një jave është në Shqipëri duke e shëtitur atë gjerësisht. E patjetër duke vizituar edhe vendin e prejardhjes së tij.

I rritur në Chicago si biri i një emigrant nga Qytezë Devoll ai ka disa fjalë për origjinën:
“Qyteza është një vend mistik dhe i mrekullueshëm. Prej aty i ka rrënjët babi, mamaja dhe të afërmit e mi. Ndërsa nëna është nga Bilishti. Përshtypjet e mia janë të ëmbla, të gëzueshme dhe emocionale. Jam i përulur para atyre njerëzve. Të diskutoje me ta ishte si të debatoja me nënën time”.

E ndërsa është thënë që aktori ka mbërritur për të realizuar një dokumentar për Shqipërinë që do të jepet në SHBA, duket se ka dhe një arsye tjetër.
“Mora një telefonatë nga kryeministri për të ardhur dhe diskutuar mundësinë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Unë kam një fermë kanabisi. Ai donte të dinte çfarë mendja për këtë. Çfarë njohuri kam nëpërmjet eksperiencës sime me kanabisin mjekësor”.
Artisti e tha qartë që nuk e përjashton mundësinë e investimit në të ardhmen në Shqipëri tek kanabisi mjekësor, nëse legalizohet. Një fermë aktuale ai ka kohë që e ka në SHBA. Madje ai sapo është kthyer nga një vizitë në Lazarat duke e përshkruar atë si një vend perfekt për të rritur kanabis.
“Po sigurisht do të ishte një mundësi shumë e mirë. Por kjo nuk ka të bëjë me gjenerimin e parave më shumë se sa me mjekësinë. Është një bimë shëruese. Ajo zonë, Lazarati,  është më e dëshirueshmja për të rritur kanabisin. Drita, dheu dhe uji”.
Ndërkohë sa i përket dokumentarit Belushi nuk dha detaje, por bëri të qartë që nuk do të ndalet shumë tek e shkuara komuniste.
Nuk dua të sjell shumë errësirë në të. Ne e kemi përmendur të shkuarën sigurisht. Por pavarësisht represionit për shumë vite e vetmja gjë që vjen me lirinë është shprehja e saj.
Ndërsa Jim Belushi ka një perspektivë të re për investimin në Shqipëri , duket se dëshira e tij e vjetër për të investuar tek Minierat është sfumuar.
“U bë shumë e ndërlikuar. Në këtë pikë mendoj që ende e kemi licencën por nuk e kemi ekzekutuar. Ishte para shumë kohësh. E lamë të kalonte. Humbi nëpër burokraci dhe kështu është jeta”. 
Jim njihet më së shumti për rolin në serialin “ Acording to Jim, ndërsa role të tjera televizive përfshijnë “Saturday night live”, “Total Security”, dhe “Twin Peaks”.

Top ChannelLexo me shume