Ben Blushi: Kullën e Sahatit ta çojmë në qendër të sheshit “Skënderbej”, aty shohim edhe Dajtin

Ben Blushi

Që të kuptoni rëndësinë e Sahatit të Tiranës duhet të ktheheni 200 vjet përpara.

Atëherë kur Tirana ishte një grumbull shtëpish të ulëta, të ndërtuara në rrëzë të pesëmbëdhjetëkatëshit, në të dy anët e Rrugës së Barrikadave, te sheshi i Ushtarit të Panjohur si dhe përreth Bashkisë së sotme dhe xhamisë së Et’hem Beut.

Kush do të imagjinojë Tiranën e atyre viteve duhet të dijë se në atë kohë nuk kishte asnjë ndërtim në krahun jugor të Lanës, aty ku sot është Piramida, Kryeministria, Parlamenti, Presidenca, Universiteti, Stadiumi, Komuna e Parisit dhe Blloku.

Blloku, ku sot një metër katror në kat të parë, shitet 10 mijë euro, ishte një fushë që nuk e donte askush. Nëse dikush syrgjynosej, pra dënohej, i thoshin shko atje. Pra shko sikterisu në Bllok. Kushedi sa burra do donin të ndëshkoheshin sot në këtë formë, përfshi dhe mua.

Vetë Lana ishte një përrua ku gratë e Tiranës lanin rrobat e burrave dhe fëmijëve dhe prandaj mori emrin Lanë. Nuk ka lumë në Evropë që ka një emër të tillë, të krijuar nga nevoja e njerëzve për tu pastruar. Lana, emri i të cilit mua më pëlqen, ishtë një përrua i ndotur që u ndot edhe më shumë gjatë shekullit të kaluar, kur me shtimin e banorëve, nga lavatrice, u kthye në një tualet.

E vetmja urë që kalonte mbi Lanë për të lidhur qytetin me pjesën jashtë Unazës së sotme, pra me Ali Demin apo Rrugën e Elbasanit ishte Ura e Tabakëve, një urë e ngushtë mbi të cilin kalonin kryesisht lëkurët dhe leshtë e bagëtive që disa familje të Tiranës i kthenin në opinga, këpucë,corape dhe veshje për dimër dhe prandaj quheshin tabakë, ose lekurëpunues.

Komuna e Parisit,një emër pa lidhje që nuk e di pse ja kanë vënë zonës më të populluar të Tiranës po ashtu nuk egzistonte. Komuna ishte poaq larg qendrës së Sahatit sa cështë sot Durrësi me Kavajën.Meqë në atë kohë nuk kishte makina, duhej më shumë se një orë për të shkuar nga Sahati deri te Kopshti Zoologjik, nëse gjithmonë kishte ndonjë arsye për të vajtur deri atje.

Në vitet 1800 kur ndërtohej Sahati,njerëzit dhe kafshët jetonin në harmoni dhe askujt nuk mund ti shkonte mendja se do vinte një ditë që ne, banorët e Tiranës do duhej të paguanim taksa për të ushqyer dhelpra, ujqër dhe skifterë që në ato kohë bridhnin lirsht në fushën e mrekullueshme të qytetit tonë.

Gjithë zona e shkollës Sami Frashëri, ajo e Trenit, pa folur pastaj për Kinostudion apo Freskun rrëzë Dajtit nuk egzistonin. Katundet përreth Tiranës ishin kodra te pabanuara,me përjashtim ndoshta të Petrelës e cila ka egzistuar para qytetit. Tiranasit e viteve 1800 nuk i preferonin periferitë për tu clodhur apo për të ngrenë një drekë sic bejmë ne sot.

Po ashtu gjithë zona perëndimore e Tiranës, Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit bashkë me 21 dhjetorin, Astirin dhe Laprakën nuk ishin vecse një fushë e mbushur me ferra nga ku herë pas here vinin Toptanasit që donin tua merrnin Tiranën Bargjinëve,apo Bushatllinjtë e Shkodrës të cilët gjithmonë mbronin Bargjjnët kundër Toptanasve.

Nëse nuk do ishte për Bushatllinjtë,Tirana do ishte pushtuar nga Kruja shumë më herët dhe ndoshta do ishte një qytet edhe më i prapambetur se c’e njohim. Tani krutanët janë zbutur dhe kur vinë në Tiranë vishen me rrobat më të mira, por në atë kohë, ata ishin si njerëz të egër dhe konsideroheshin banditë që vinin për të vjedhur dhe plaçkitur.

Historia e përleshjeve të këtyre dy fiseve,pra Bargjinëve dhe Toptanasve për Tiranën është shumë e gjatë,ka shumë pusi,shumë vrasje,shumë gjak dhe poaq krushqi dhe nëse kjo përleshje nuk do kishte ndodhur qyteti i Tiranës mund të ishte ndërtuar më shpejt dhe ndoshta do ishte bërë kryeqytet edhe më shpejt.

Në mes të këtyre betejave të Krujës me Tiranën,në fund të viteve 1700 dhe fillimit te viteve 1800 u ndërtua Sahati i Tiranës.Nuk e di nëse kjo bina dukej në atë kohë nga lartësitë e Krujës por jam i bindur që ai që e ndërtoi e ka patur këtë qëllim. Donte me siguri ti ngjallte zili dhe ti kompleksonte fshatarët e ashpër të Krujës.

Natyrisht, përveç bukurisë dhe krenarisë që u jepte banorëve, ky Sahat përdorej si një orë dore. Meqë në atë kohë askush nuk kishte orë, njerëzit dilnin në oborret e shtëpive apo në dritare që të shikonin Sahatin.

Në fillim ai nuk kishte fushë dhe akrepa, por një këmbanë të madhe prej bronzi e cila binte cdo një orë. Në orën 1 binte një herë dhe në orën 12 binte dymbëdhjetë herë. Sahati ishte një koncert i përditshëm. Njerëzit lindnin dhe vdisnin me zilen e tij në vesh.

Nga avllitë e ulëta dhe ballkonet me lule, Sahati shkëlqente. Asnjë re,asnjë oxhak dhe asnjë ndërtim tjetër nuk i bënte hije dhe nuk lejohej ta pengonte rrezen e madhështisë së tij.Sahati mbeti ndërtesa më e lartë në Tiranë për 150 vjet,të paktën deri në vitet 70 të shekullit të shkuar.

Sahati ishte qendra, maja, pushteti, fuqia dhe bukuria e Tiranës.Ai ishte vetë arti, në një qytet pa muze, pa kinema, pa galeri, pa dyqane, pa kozmetikë, pa stadiume, pa restorante dhe pa argëtim. Në krahasim me shtëpitë njëkatëshe të Tiranës, Sahati ishte si Guliveri në qytetin e Liliputëve. Mund ta imagjinoj sot cfarë mrekullie konstruktive ishte për atë kohë kjo kullë e bardhë me një majucë, që nga larg duket si një akullore.

Njeriu që e ndërtoi ishte Et’hem Molla Beu. Ishte një poet.

Ky burrë, që ndoshta është aventurieri më i madh i historisë së Tiranës, nga lindja e qytetit deri më sot, shkruante poezi. Bejtet e tij në atë kohë quheshin divane dhe meqë historia e Shqipërisë dhe pa dyshim edhe ajo e Tiranës, është udhëhequr nga smira dhe zilia, dikush u kujdes që ti zhdukte vargjet e tij.

Et’hem Molla Beu, mund të konsiderohet një dandy,për kohën. Një gentelman oriental. Një spicer siç thonë kosovarët. I pasur, i ditur, i bukur dhe i gojës. Thonë që ka qenë edhe konsull i Turqisë në Venecia dhe për këtë shkak mund të jetë burri i parë në Tiranë që veshi pantallona, këmishë, papijon dhe jelek me një qostek të artë, prishja e të cilit mund ta ketë nxitur të ndërtojë një Sahat si ky që kemi sot.

Megjithëse ishte një poet,Kulla e Sahatit është kryevepra e tij. Sot që flasim ajo ka mbushur 200 vjet sepse ndërtimi që vazhdoi gati 30 vite përfundoi në vitin 1822.

Et’hem Beu me origjinë nga Mulleti,nuk e kishte mbiemrin Molla. Ky llagap në atë kohë u ngjitej njerëzve të ditur,klerikëve,atyre që dinin të lexonin Kuranin dhe të shkruanin. Emërtimi Molla që vjen nga fjala Mullah në persisht, iu ngjit në dy breza familjes së tij të pasur, derisa më vonë e hoqën qafe si një rreckë arabe dhe morën mbiemrin Tirana, sic u takonte.

Imagjinoni për një çast sikur, për nder të krijuesit të saj, Kulla e Sahatit të quhej Molla Toëer, ose, për tu’a bërë më të lehtë turistëve të sotshëm të quhej Tirana Apple Toëer. Ose TAT që është shumë afër fjalës tiranase tate, sic thirreshin në kohët e vjetra burrat e vjetër, përfshi edhe Et’hem Beun.

Kjo sigurisht është një fantazi e ekzagjeruar, por e vërteta është se 200 vjet më vonë, Sahati nuk shërben më si një orë sepse ne të gjithë kemi nga një orë në dorë ose në celular dhe nuk kemi nevojë të ngremë kokën për të parë akrepat e tij të ngathët.

Më shumë se si orë, tani Sahati duket si një laps i rrasur pa kujdes në mes të një ipad betoni që është kulla nga pas, të një Kurani të vjetër që është Xhamia nga Lindja, të një teksti historije që është godina e Bashkisë dhe të një libri edukate morale që është Pallati i Kulturës.

Natyrisht Mali i Dajtit,që ky laps gjigand e ka vizatuar për 200 vjet rresht, është zhdukur si dekori i tij natyral. Dajti dhe Sahati sot nuk takohen më, përvecse në kartolinat e vjetra të Tiranës.

Sigurisht jo për fajin e tij, Sahati nuk është më në vendin që i takon.

Unë e di sesa delikate dhe sa shumë zhurmë e debat krijojnë zhvendosjet e monumenteve në të gjithë botën, por ka raste kur zhvendosjet janë të domosdoshme për ti shpëtuar monumentet.

Ky mund të ishte rasti i Sahatit të Tiranës.

Qyteti i Tiranës është ndërtuar rreth këtij objekti. Sahati është sërish në qendër por nuk është më Qendra e qytetit.

Imagjinoni për një cast sikur ai të zhvendosej 50 metra nga aty ku është për t’u vendosur në mes të sheshit Skënderbej.

Duke u ngritur mbi një piedestal të lartë, koka e tij do zgjatej mbi Pallatin e Kulturës dhe do ta shihte prapë malin e Dajtit që aq shumë i mungon.

Duke u vendosur në qendër të sheshit, Sahati do ishte në aksin e bulevardit kryesor të Tiranës dhe kështu do shikonte sërish Krujën në Veri dhe Kodrat e Liqenit në Jug.

Në këtë pozicion,pra në mes të sheshit, Sahati dhe silueta e tij do dallohej sërish nga rruga e Durrësit dhe nga ajo e Kavajës të cilat janë ndërtuar duke u orientuar nga aksi i tij.

Vetë sheshi do merrte një kuptim të ri dhe si një njeri që ka lindur,ka jetuar dhe ka punuar shpesh në një rreze jo më të madhe se 200 metra nga Sahati,imagjinoj sesi shumë djem dhe vajza, të rinj apo të moshuar do uleshin në shkallët e mëdha të cilat do formonin piedestalin e merituar mbi të cilin do ngrihej Sahati i Tiranës.

Sheshi horizontal do fitonte një qendër vertikale rreth të cilës do rrotullohej gjithë qyteti jonë. Sahati do merrte nje rol të ri duke zbukuruar sheshin, qytetin dhe shikimin tonë.

Ne do na kthehej një monument të cilin koha e ka fshehur, pa dashje.

Edhe vetë Ethem Bej Molla do kënaqej sepse dihet që poetët kanë një zakon : ata luten që lapsat e tyre të punës të përdoren edhe pas vdekjes së tyre.

Lexo me shume