Berisha paralajmëron protestë kombëtare: Të tilla nuk janë parë kurrë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka deklaruar se kudo që shkon gjen urrejtje ndaj qeverisë, ndërsa shtoi se PD po përgatitet për një protestë të madhe kombëtare para përfundimit të vjeshtës.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Berisha nuk dha një datë të saktë se kur do të organizohet kjo protestë, por tha se pjesë e saj do të jenë qytetarë nga e gjithë Shqipëria.

“Pretendojmë për të qenë partia kryesore e vendit në çdo aspekt në zgjedhjet lokale. Unë kudo që shkoj gjej një urrejtje ndaj qeverisë. A e konstatoni ju? Ka ndodhur një gjë e pabesueshme, ka ndodhur një pakënaqësi, edhe gurët po të kishin gojë do flisnin kundër kësaj qeveria.

Po i përgatisimin protestat. Në Vaun e Dejës më thanë na njofto të vijmë me të madh e më të vogël në Tiranë. Njerëzit do vërshojnë nga e gjithë Shqipëria.

Një gjë është e sigurt që Shqipëria do të njohë protestat që nuk i ka njohur kurrë më parë. Protestat kanë filluar, sindikata e pedagogëve ka nisur dhe ka një përkrahje të fortë pedagogëve, studentëve por edhe mësuesve.

Fitorja e opozitës do të shtrihet nga Tirana në të katërt anët e vendit”, tha Berisha.

Lexo me shume