‘Beteja’ në Këshillin e Europës/ Spahiu: Rama s’duhet t’ia lejojë vetes të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës

Analisti nga Nexhmedin Spahiu është shprehur se ‘beteja’ që po bëhet në Këshillin e Europës për Kosovën dhe raportin e Dick Martit do të ketë më shumë një vlerë në lidhje me marrëdhëniet publike se sa një ndikim për çështjen e Gjykatës Speciale në Kosovë.

 

 

Në një bisedë me moderatorin Aleksandër Furxhi gjatë edicionit qëndror të lajmeve në Vizion Plus, Spahiu tha se kryeministri Rama nuk duhet t’ia lejojë vetes të ndërhyrjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

 

 

Thënë këtë, analisti iu referua krijimit të Gjykatës Speciale e cila u miratua nga 2/3 e Parlamentit kosovar, si dhe financohet nga vende mike që i duan të mirën Kosovës.

 

 

“Mendoj që kjo e ka një vlerë për marrëdhëniet publike, po mendoj si një përkujtim që vite më parë është bërë një akuzë e padrejtë këtu, nga ana e Dick Marty-t e është miratuar një rezolutë e cila më vonë është hedhur poshtë nga prokurori amerikan i cili ka trajtuar çështjen e të akuzuarve dhe akuzat të cilat janë bërë për të akuzuarit që ndodhen në Hagë,nuk kanë të bëjnë fare më atë që thotë Marty.

Kjo është një çështje, ndërsa çështja e Gjykatës Speciale është krejtësisht tjetër. Gjykata Speciale është krijuar nga Kosova ‘de jure’ është gjykatë e Kosovës, financohet nga miq të Kosovës, SHBA, BE, Zvicra Norvegjia dhe Turqia, të gjithë këta aleatë që ia duan të mirën Kosovës dhe në këtë rast, kërkesa për tu zhbërë Gjykata Speciale paraqet përzierjen në punët e brendshme të Kosovës, gjë që Rama s’duhet t’ia lejojë vetes, pavarësisht se të akuzuar janë miqtë e tij Thaci e Veseli. Por kjo gjykatë është bërë me vendim të 2/3 të parlamentit të Kosovës.”

 

Spahiu shtoi se një rezolutë e re do të ishte pozitive për Kosovën, por pa ndikim në Gjykatën Speciale.

 

 

“Nuk e di nëse Parlamenti Europian do të ndërmarrë një rezolutë që do të kishte patë një vlerë pozitive për Kosovën por jo me ndikim në Gjykatën Speciale, sepse Gjykata Speciale nuk është bërë mbi bazën e këtyre akuzave të cilat janë bërë me rezolutën e Dick Martit.”

 

 

Më tej, i pyetur për qëndrimin e Berishës i cili u shpreh pro gjykimit të Thaçit në Hagë, analisti tha se është normal për sa kohë Rama lufton për të.

 

 

“Është e natyrshme, nëse miku i armikut tim është armiku im, në këtë rast meqënëse Rama po lufton për Thacin, e qartë që Sali Berisha nuk do ta përkrahë.”

Lexo me shume