Biden njofton tarifën 100% për automjetet elektrike kineze_66435f87bf275.jpeg

Biden njofton tarifën 100% për automjetet elektrike kineze

Taksa e SHBA për të mbrojtur prodhuesit amerikanë, nga importet e lira, mund të nxisin tensionet tregtare.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka njoftuar një tarifë 100% për automjetet elektrike (EV) të prodhuara në Kinë, si pjesë e një pakete për të mbrojtur prodhuesit amerikanë nga importet e lira.
Në një lëvizje, që ka të ngjarë të ndezë tensionet tregtare, midis dy ekonomive më të mëdha në botë, Shtëpia e Bardhë tha se po vendoste kufizime më të rrepta, për mallrat kineze të importuara, me vlerë 18 miliardë dollarë.
Burimet thanë, se masa pasoi një rishikim katërvjeçar, dhe ishte një masë parandaluese, e krijuar për të ndaluar mallrat e lira kineze, të subvencionuara, që vërshonin në tregun amerikan dhe ndalonin rritjen e sektorit amerikan të teknologjisë së gjelbër.
Përveç rritjes së tarifave, nga 25% në 100% për EV, tarifat do të rriten nga 7.5% në 25% për bateritë e litiumit, nga zero në 25% për mineralet kritike, nga 25% në 50% për panelet diellore dhe nga 25 % deri në 50% në gjysmëpërçuesit.
Tarifat për çelikun, aluminin dhe pajisjet mbrojtëse personale – të cilat variojnë nga zero në 7.5% – do të rriten në 25%.
Pavarësisht nga rreziqet e ‘hakmarrjes’ nga Pekini, Biden tha se taksat e rritura, ishin një përgjigje proporcionale ndaj mbikapacitetit të Kinës në sektorin e EV. Burimet thanë, se Kina po prodhonte 30 milionë automjete elektrike në vit, por mund të shiste vetëm 22-23 milionë në vend.
Tarifat e makinave, janë kryesisht simbolike, sepse automjetet elektrike kineze, praktikisht mbetën jashtë SHBA-së, nga tarifat e vendosura nga Donald Trump, gjatë presidencës së tij. Megjithatë, grupet lobuese, kanë sugjeruar se ekziston një kërcënim i ardhshëm, pasi Kina kërkon të përdorë eksportet, për të kompensuar dobësinë e ekonomisë vendase.
Aleanca për Prodhimin Amerikan, ka thënë se futja e makinave kineze në tregun amerikan, do të rrezikonte zhdukjen për prodhuesit vendas të makinave.
Që nga ardhja në detyrë, presidenti ka njoftuar një sërë masash – të tilla si Akti i Reduktimit të Inflacionit dhe Akti i Çipave – për të nxitur industrinë amerikane.
Biden, ka mbajtur një qëndrim të ashpër për tregtinë, që nga mbërritja në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 2021 dhe beson se plani i tij, ofron një qasje më të synuar – dhe më pak të rrezikshme – ndaj kërcënimit të paraqitur nga Kina, sesa ajo e rivalit të tij.
Në mars, Trump tha se, nëse zgjidhej si president më vonë këtë vit, ai do të vendoste një tarifë 100% për çdo makinë nga fabrikat e prodhimit në Kinë. “Ata nuk do t’i shesin ato makina,” tha ai. Trump ka premtuar të rrisë taksat, për të gjitha importet kineze me 60%, një qasje që kritikët thonë, se do të rriste çmimet për konsumatorët amerikanë, që tashmë po përballen me inflacionin e lartë.
Në prill, Biden tha se ai “nuk po kërkonte një luftë me Kinën”, por se SHBA-ja, duhej të qëndronte kundër “praktikave të padrejta ekonomike dhe mbikapacitetit industrial” të Kinës. “Unë jam duke kërkuar për konkurrencë, por konkurrencë të ndershme,” tha ai.
Tarifat e reja, do të fillojnë pas 90 ditësh nga e marta – një periudhë, që do të monitorohet nga afër për shenjat e ‘hakmarrjes’ nga Kina. Burimet e Shtëpisë së Bardhë, thanë se qëllimi nuk ishte përshkallëzimi i tensioneve tregtare, por për të ndihmuar pjesët e ekonomisë amerikane, ku kishte pasur një cikël deinvestimi (ulje investimi). / The Guardian

Burimi