Bie suvaja në shkollë/ Dëmtimet e tavanit shqetësojnë prindërit

Shkolla “17 Shkurti” ndodhet në Qesarakë, në lagjen që njihet si “Fresku”, në Tiranë.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, prindër të shqetësuar dërguan video ku tregohen dëmtime brenda kësaj shkolle, rënie të suvatimeve nëpër korridore dhe klasa.
Rënien e suvasë e provon fakti që dy persona dolën nga shkolla gjatë kohës që po filmonim, duke mbajtur një kosh mbushur me inerte, që e hodhën pranë vendgrumbullimit të plehrave. Në oborr shikohen edhe dy persona për mirëmbajten e objekteve.

“Nuk na ka thënë gjë njeri, por është me rrezik. Unë kam mbesën në klasën e tetë. Suvaja mund t’u bjerë në kokë fëmijëve. Nuk e kuptoj se si vazhdojnë mësimin”– shprehet një prind.
“Kjo ndërtesë është ngritur mbi përrua dhe siç duket shirat po e dëmtojnë“.
“Këta po e mbajnë të fshehtë. Unë nuk e sjell fëmijën në parashkollor, sepse nuk ka siguri”.
“Unë i kam parë copat e suvasë. Kishin rënë gjatë natës. Nuk ka dëmtuar as fëmijë dhe as mësues. Por urgjent të merren masat. Ne nga ju po e marrim vesh se çfarë ka ndodhur. Po përse mbahet e fshehtë kjo gjë“- shprehen ata të shqetësuar.
Dëmtimet shihen me sy të lirë edhe nga rruga, ndërkohë që kërkesës për një prononcim drejtoresha e shkollës i përgjigjej përmes rojës, ‘se ka punë’.
Në shkollën “17 Shkurti” mësojnë rreth 900 fëmijë. Godina u ndërtua në vitin 2012 dhe në 2015 u ngjitën edhe dy kate shtesë.

Top ChannelLexo me shume