Bien çmimet e arit të zi, SHBA shton prodhimin e naftës bruto_663a259f772b0.png

Bien çmimet e arit të zi, SHBA shton prodhimin e naftës bruto

Çmimet e naftës ranë me 1% të martën, duke zgjeruar humbjet nga e hëna, si pasojë e rritjes së prodhimit të naftës bruto në Shtetet e Bashkuara, si dhe shpresave për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Kontratat e naftës së papërpunuar për muajin qershor në tregun Brent, që skaduan të martën, shënuan një ulje prej 0.6% në 87.86 dollarë për fuçi. Kontratat për muajin korrik ranë në 86.33 dollarë për fuçi. Tregu Brent shihet si pikë referimi e çmimeve globale të naftës.
Çmimi i një fuçie naftë në tregun WTI, që ka të bëjë me çmimet e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara, ra në 81.93 dollarë. Kontratat për të dy tregjet ranë më shumë se 1% të hënën. Nxjerrja e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara u rrit në 13.5 milionë fuçi në ditë gjatë muajin shkurt, krahasuar me 12.58 milionë fuçi në janar, rritja më e madhe mujore që nga tetori i viti 2021, tha agjencia amerikane për energjinë.
Ndërkohë, eksportet u rritën me 4.66 milionë fuçi në ditë nga 4.05 milionë fuçi gjatë të njëjtës periudhë. Një sondazh i gjerë nga agjencia e lajmeve Reuters tregoi të martën rënien e inventarit të naftës amerikane bruto me rreth 1.1 milionë fuçi gjatë javës që përfundoi më 26 prill.
Ndërkohë janë shtuar pritshmëritë për arritjen e një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit pas një shtytje të ripërtëritë të udhëhequr nga Egjipti për të ringjallur negociatat e ngecura.
“Tregu beson se një pjesë e rrezikut gjeopolitik po mënjanohet“, tha Dennis Kissler me firmën tregtare “BOK Financial”. “Nuk po shohim daljen nga tregu të asnjë furnizimi global”.
Vazhdimi i sulmeve nga lëvizja Houthi kundër trafikut detar tejet të rëndësishëm në jug të Kanalit të Suezit, mund të përbëjë rreziqe në rritje nëse shkakton ndërprerjen e furnizimeve me naftë bruto.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, uli prodhimin në muajin prill, veprim që u reflektua në eksporte më të pakta nga Irani, Iraku dhe Nigeria, pa llogaritur uljen e prodhimit nga disa vende anëtare të organizatës OPEC+.
Sipas parashikimeve, çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar do të qëndrojë mbi 80 dollarë gjatë këtij viti./ VOA

Burimi