Bizneset e vogla përgatiten për blerje të pakta nga komsumatorët e kujdesshëm gjatë festave të fundvitit_663a027991ff5.jpeg

Bizneset e vogla përgatiten për blerje të pakta nga komsumatorët e kujdesshëm gjatë festave të fundvitit

Bizneset e vogla po i bëjnë furnizimet më herët këtë sezon festash dhe janë në pritje për të parë se sa dhurata do të duan të bëjnë blerësit që po përballen me inflacionin e lartë.
Blerjet gjatë festave të fundvitit kanë qenë relativisht në nivele të larta gjatë dy viteve të fundit, pasi blerësit u dyndën në internet për të shpenzuar duke bërë blerje “online”, të ndihmuar edhe nga paketat stimuluese që erdhën si rrjedhojë e pandemisë. Shitjet në nëntor dhe dhjetor mesatarisht përbëjnë rreth 20% të shitjeve vjetore nga dyqanet e pakicës, sipas Federatës Kombëtare të Shitësve me Pakicë, duke e bërë kështu sezonin e festave tepër kritik për shumë shitës me pakicë.
Këtë vit, bizneset e vogla në SHBA po përgatiten për një sezon më të zymtë, pasi amerikanët pritet të bëjnë shpenzime më të kujdesshme. AlixPartners, një firmë globale që ofron konsulencë, parashikon se shitjet gjatë festave të fundvitit do të rriten nga 4% deri në 7%, shumë më pak se rritja e vitit të kaluar prej 16%. Me inflacionin që ka kaluar normën 8%, shitësit me pakicë do të përballen me një rënie në shitjet reale.
Për t’u përgatitur, pronarët e dyqaneve thonë se po i porosisin furnizimet e tyre më herët, për të shmangur pengesat në zinxhirët e furnizimit që ia vështirësuan atyre punën gjatë dy sezoneve të fundit të pushimeve. Në këtë mënyrë, ata do të mund të tërheqin personat që zgjedhin t’i bëjnë më shpejt blerjet e tyre të fundvitit. Shitësit po bëjnë ulje të mëdha, aq shumë sa kanë mundësi, duke marrë në konsideratë edhe kostot e tyre më të larta. Pronarët e dyqaneve shpresojnë se, duke qenë se njerëzit përgjithësisht e kanë bërë shumicën e blerjeve të tyre në internet gjatë pandemisë, do të ketë më shumë persona që do të zgjedhin të blejnë nëpër dyqane këtë vit.
Max Rhodes, CEO i Faire, një hapësirë tregtimi në internet që përdoret nga bizneset e vogla për të shitur mallrat e tyre me shumicë, si dhe për të blerë mallra për dyqanet e shitjes me pakicë, tha se ai po vinte re disa porosi të bëra më herët nga tregtarët, të cilët për dy vite kanë pasur probleme me sigurimin në kohë të furnizimeve të mjaftueshme për festat e fundvitit. Dyqanet u përballën me mungesa në pothuajse gjithçka, që nga dekorimet e festave, deri te dhuratat, pasi izolimet e COVID-19 bënë shumë fabrika që të mbylleshin, kostot u rritën, ndërsa numri i kotenierëve dhe kamionëve të transportit që ishin në dispozicion u reduktua. Të gjithë këta faktorë sollën probleme në furnizimet e dyqaneve.
Një studim për Këshillin e Profesionistëve të Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit nga firma globale e konsulencës Kearney, zbuloi se kostot e logjistikës për bizneset në SHBA u rritën me plot 22.4% në vitin 2021, duke shkuar në 1.85 trilion dollarë.
“Ka mbetur akoma pak frikë nga kjo situatë,” tha Rhodes. Megjithëse është shumë herët për të analizuar të dhënat e shitjeve, fjala “Krishtlindje” ishte termi më i kërkuar gjatë mesit të shtatorit. Periudha kur ky term u bë më i kërkuari në rrjet është dy javë më herët krahasuar me vitin e kaluar, si dhe tetë javë më herët krahasuar me vitin 2020, tha Rhodes.
“E vetmja gjë për të cilën jemi të sigurt, është se nuk ka asgjë të parashikueshme për këtë sezon… Ne realisht nuk dimë çfarë të presim. Edhe shitësit tanë ndihen po kështu,” tha Rhodes./ AP

Burimi