“Bordi i mban çmimet në nivelin e bursës ndërkombëtare,” Balluku-nxënësve: Të kursejmë energji që të mos kemi kufizime

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka zhvilluar pasditen e së premtes një takim me nxënës të shkollës “Jorgji Dilo” për të folur rreth rëndësisë që ka kursimi i energjisë elektrike në këtë kohë krize.

E pranishme në takim ishte edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi, ndërsa Balluku bëri të ditur se ato po punojnë bashkë që në të ardhmen në kurrikulat e shkollës të përfshihen edhe mësime mbi energjinë.

Ndërsa i inkurajonte që të mësohen me kulturën e të kursyerit të energjisë elektrike, Balluku u bëri po ashtu thirrje nxënësve që të mos e dëgjojnë politikën.

Sipas saj, politika mund të përdorë gjithçka për të krijuar situata jo të këndshme dhe dezinformim.

“Ky moment kërkon solidaritet, ka të bëjë më popullin shqiptar që i duhet ofruar energji 24/24. Ne nuk duam që të aplikojmë ndërprerje të energjisë, por në 2005, 2005, 2007 ne kishim ndërprerje energjie që po të bëjë një rezyme të orëve, ishim më shumë pa energji sesa me energji. Nuk dua ta provoni ndërprerjen e energjisë elektrike. Ky është një vend europian. Duhet të kursejmë që të mos rrisim çmimin e të mos kemi kufizojmë.”

Po ashtu ministrja e Energjisë u tregoi të rinjve sesi sot tregjet ndikohen nga një deklaratë e Vladimir Putinit. Megjithatë, Balluku theksoi se Bordi i Transparencës mundohet që t’i mbajë çmimet sipas nivelit të bursës ndërkombëtare.

“Mundohemi t’i mbajmë çmimet sipas nivelit të bursës ndërkombëtare. Por ka ardhur një moment kritik që çmimet e energjisë sot ndikohen nga deklaratat e një lideri që ka vendosur të bëjë një veprim të paprecedent të pushtojë një vend fqinj.” /abcnews.al/

Lexo me shume