Bota duhet të bashkohet për të trajtuar ndotjen nga plastika, thotë OKB_6637e4773fe21.jpeg

Bota duhet të bashkohet për të trajtuar ndotjen nga plastika, thotë OKB

Ndërsa fillojnë bisedimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të rënë dakord për traktatin e parë botëror, për të reduktuar rritjen e mbetjeve plastike, kryesuesi i takimeve, ka thënë se ka besim se vendet, do të bashkohen për të siguruar një marrëveshje.
Luis Vayas Valdivieso, ambasadori i Ekuadorit në Mbretërinë e Bashkuar, pranoi se do të ishte një sfidë, për të kapërcyer një ngërç, midis vendeve që prodhojnë plastikë dhe të tjerëve, që kanë ambicie për të trajtuar ndotjen nga plastika.
Por Valdivieso, i cili do të kryesojë negociatat ndërqeveritare të OKB-së, për një instrument të ardhshëm ligjërisht të detyrueshëm ndërkombëtar, mbi ndotjen nga plastika në Otava, Kanada, tha: “Ne duhet të përballemi me ato sfida dhe të punojmë me to. Kompromisi, është një fjalë e rëndësishme, që duhet ta kemi parasysh.
“Është shumë e rëndësishme, që ne po e negociojmë këtë traktat tani. Bota është në një krizë të trefishtë të ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes. Por, ndërsa ka marrëveshje për dy të parat, nuk kemi legjislacion dhe asnjë marrëveshje globale, për ndotjen plastike.” Tha Valdivieso.
Në një marrëveshje historike në mars 2022, vendet miratuan një mandat për hapjen e negociatave për një traktat global, ligjërisht të detyrueshëm, për të adresuar të gjithë ciklin jetësor të plastikës.
Negociatat e mëparshme në Nairobi, ngecën nëntorin e kaluar, kur vendet prodhuese të naftës, propozuan të fokusohen në menaxhimin e mbetjeve, në vend që të zvogëlojnë prodhimin e plastikës. Shumica – 98% – e plastikës me një përdorim, janë bërë nga lëndë djegëse fosile, dhe shtatë kompanitë kryesore të prodhimit të plastikës, janë kompanitë e karburanteve fosile, sipas të dhënave nga 2021.
Por, ajo që është e qartë, është se ne nuk mund të menaxhojmë sasinë e plastikës që po prodhojmë. Vetëm 10% e plastikës riciklohet, diçka duhet bërë dhe kjo është arsyeja, pse këto negociata janë kaq të rëndësishme.
Bisedimet e kësaj jave në Otavë, do të pasohen nga bisedimet në Kore në fund të vitit dhe marrëveshja do të jetë gati, që të gjitha vendet të nënshkruajnë për traktatin, vitin e ardhshëm.
Ekuadori, është një nga katër vendet, që konkurrojnë për të pritur konferencën diplomatike – ku do të nënshkruhet traktati, dhe dëshiron ta mbajë ngjarjen në ishujt Galapagos, ku ujërat janë përcaktuar si një vend i trashëgimisë së Unesco-s, por po vuajnë nga ndotja nga plastika.
Pjesë e diskutimeve në Otavë, do të jetë vendimi, se ku do të nënshkruhet traktati. / The Guardian

Burimi