Bota sërish pranë “zisë së bukës”? Kërcënon Rusia: Do tërhiqemi nga marrëveshja e grurit

Moska i ka shprehur me shkrim shqetësimet Kombeve të Bashkuara për marrëveshjen për eksportet e grurit përmes Detit të Zi dhe është e përgatitur të mos e rinovojë marrëveshjen muajin e ardhshëm nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, tha sot ambasadori rus në Kombet e Bashkuara për Reuters, Genadi Gatilov.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia në korrik, hapi rrugën për Ukrainën për të rifilluar eksportet e grurit nga portet e Detit të Zi që ishin bllokuar që nga pushtimi rus. Moska fitoi garanci për eksportet e saj të drithërave dhe plehrave.

Marrëveshja ndihmoi në zbutjen e një krize globale ushqimore: Rusia dhe Ukraina janë dy nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave dhe Rusia është eksportuesi numër një i plehrave. Por Moska është ankuar vazhdimisht për zbatimin e marrëveshjes, duke pretenduar se ajo ende përballet me vështirësi në shitjen e plehrave dhe ushqimeve.

Në një intervistë me Reuters, Gatilov vuri në dukje se Moska i dorëzoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të mërkurën, duke renditur një listë ankesash. Zyrtarët e OKB-së do të vizitojnë Moskën të dielën për të diskutuar rinovimin e marrëveshjes, transmeton abcnews.al.

“Nëse ne shohim që asgjë nuk po ndodh në anën ruse të marrëveshjes – eksporti i grurit dhe plehrave ruse – atëherë na vjen keq, ne do të duhet ta shohim këtë ndryshe”, tha ai.

Ai nuk pranoi të jepte një kopje të letrës. Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

I pyetur nëse Rusia mund të refuzojë të mbështesë rinovimin e marrëveshjes së grurit për shkak të shqetësimeve, ai tha: “Ekziston një mundësi… Ne nuk jemi kundër dërgesave të grurit, por kjo marrëveshje duhet të jetë e barabartë, duhet të jetë e drejtë dhe të jetë aplikuar në mënyrë të drejtë nga të gjitha anët”.

Gatilov, një diplomat karriere dhe ish-zëvendës ministër i Jashtëm rus përpara se të bëhej ambasador i OKB-së, tha se i shihte perspektivat për një zgjidhje të negociuar të luftës gati tetë-mujore në Ukrainë duke u zbehur. Ai përmendi ato që ai i quajti “akte terroriste”, si shpërthimi i një ure për në Krime.

“E gjithë kjo e bën më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje politike”, tha ai.

I pyetur për mundësinë e një takimi midis Presidentit Vladimir Putin dhe Presidentit të SHBA Joe Biden, Gatilov tha se kjo nuk ishte e mundur duke pasur parasysh nivelin e mbështetjes ushtarake të SHBA për Ukrainën.

“Kjo e bën SHBA-në pjesë të konfliktit”, theksoi ai.

Megjithatë, ai u shfaq më optimist për rezultatet e tjera të negociatave, të tilla si aksesi në ndihmën humanitare dhe shkëmbimet e mëtejshme të të burgosurve. /abcnews.al

Lexo me shume