BQE ngre alarmin për rreziqet e shtuara në sistemin financiar_663a02242bed3.jpeg

BQE ngre alarmin për rreziqet e shtuara në sistemin financiar

Zëvendëspresidenti i BQE, Luis de Guindos, u kërkon fondeve të investimeve që të mbajnë më shumë asete likuide për të përballuar situatën.
 
Kombinimi i dëmshëm i recesionit, inflacionit të lartë, kostove të shtuara të financimit dhe likuiditetit të ulët po kërcënon që të shkaktojë trazira në tregun financiar të eurozonës, ka paralajmëruar Banka Qendrore Europiane.
Luis de Guindos, zëvendëspresident i BQE-së, u bëri thirrje bankave që të mbajnë më shumë provigjione për kreditë e këqija, u kërkoi agjencive rregullatore globale që t’i detyrojnë fondet e investimeve për të mbajtur më shumë asete likuide dhe tha se banka qendrore duhet të jetë e kujdesshme lidhur me vendimin e saj për të filluar me reduktimin e stokut të obligacioneve prej 5 trilionë euro vitin e ardhshëm.
Rishikimi i stabilitetit financiar nga BQE, i cili bëhet dy herë në vit, arriti në konkluzionin se inflacioni i lartë, gjasat në rritje për një recesion dhe kostot e shtuara të financimit “paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha” për familjet, bizneset dhe qeveritë që kanë borxhe. Këta faktorë mund të sjellin më shumë falimentime të bizneseve dhe paqëndrueshmëri në tregun financiar.
“Të gjitha këto dobësi mund të shfaqen njëkohësisht, potencialisht duke përkeqësuar ndikimet e njëra-tjetrës,” shtoi raporti.
Vetë BQE-ja ka kontribuar në krijimin e këtyre rrethanave, duke shtuar ndjeshëm normat e interesit këtë vit dhe ajo planifikon që të diskutojë për mënyrat se si do të fillojë reduktimin e portofolit të saj të obligacioneve prej gati 5 trilionë eurosh në takimin e ardhshëm të komitetit të politikave monetare në dhjetor – një lëvizje kjo e cila ka të ngjarë të shtojë presionin mbi likuiditetin e tregut.
Kjo duhet bërë “me shumë kujdes”, tha de Guindos, duke shtuar se, në mendimin e tij personal, procesi duhet të fillojë me shtrëngimin sasior “të pjesshëm dhe pasiv”, që do të thotë thjesht zëvendësimin e disa prej obligacioneve që maturohen, dhe jo shitjen në mënyrë aktive të këtyre letrave me vlerë.
Trazirat e këtij viti në tregjet e obligacioneve të Mbretërisë së Bashkuar dhe kriza e mëparshme e parave cash që goditi tregtarët europianë të energjisë, kanë nënvizuar se sistemi financiar i rajonit është gjithnjë e më vulnerabël ndaj lëvizjeve të mëdha të çmimeve të tregut, të cilat mund të shkaktojnë një krizë më të gjerë, tha BQE.
BQE u bëri thirrje agjencive rregullatore globale – të koordinuara nga Bordi i Stabilitetit Financiar – që të përshpejtojnë punën e tyre për të trajtuar problemet e vulnerabilitetit në sektorin financiar jobankar lidhur me reduktimin e likuiditetit, të ngjashme me ato që goditën fondet e tregut të parasë pas pandemisë së koronavirusit në mars të vitit 2020.
De Guindos tha se prioriteti i BQE-së është që fondet e investimeve të ekspozuara ndaj rrezikut të tërheqjeve të shpejta dhe masive të parave nga investitorët në kohët e pasigurive në treg, të detyrohen të mbajnë një pjesë të caktuar të aseteve të tyre në forma më likuide.
Këto asete likuide nga fondet e investimeve të eurozonës janë rritur që nga fillimi i vitit, por BQE tha se ato “mbeten relativisht të ulëta”.
Në një kohë kur shumë huadhënës po përfitojnë nga marzhet e mëdha të fitimit falë rritjes së normave të interesit, BQE paralajmëroi se “një ekonomi më e dobët dhe rritja e rrezikut të kredisë mund të përkeqësojnë perspektivat e fitimeve të bankave në planin afatmesëm”./ FT

Burimi