COP27, fillojnë në Egjipt bisedimet e OKB-së për klimën, mes krizave të mëdha botërore

Të dërguarit nga e gjithë bota u mblodhën të dielën në resortin bregdetar të Egjiptit, në Sharm el-Sheikh, për samitin e COP27. Këto bisedime me një fokus për trajtimin e ndryshimeve klimatike po zhvillohen ndërsa bota është duke u përballur me kriza të shumta, duke përfshirë luftën në Ukrainë, inflacionin e lartë, mungesat e ushqimeve dhe krizën energjetike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi javën e kaluar se planeti po shkonte drejt një “kaosi klimatik” të pakthyeshëm.
Guterres u kërkoi të gjitha vendeve që të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer botën në drejtimin e duhur për të reduktuar emetimet dhe për të ndihmuar vendet e varfra që të përballen me ndikimet e ngrohjes globale.
Më shumë se 40,000 pjesëmarrës janë regjistruar për bisedimet e këtij viti, duke reflektuar kështu ndjesinë e urgjencës për të trajtuar këtë çështje pasi ngjarjet e mëdha të motit në mbarë botën po prekin shumë njerëz dhe po kushtojnë miliarda dollarë në riparime.
Egjipti tha se në këtë samit do të marrin pjesë mbi 120 liderë botërorë, shumë prej të cilëve do të flasin në një event të nivelit të lartë nga data 7 deri më 8 nëntor.
Ndërsa presidenti i SHBA-së, Joe Biden pritej të vinte në samit, shumë figura të tjera të larta, duke përfshirë presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, nuk planifikonin që të vinin.
Kjo ka sjellë dyshime për faktin nëse bisedimet në Egjipt mund të rezultojnë në një marrëveshje të madhe e cila do të mundësonte uljen e emetimeve, pa praninë e dy prej vendeve me nivelet më të mëdha të ndotjes në botë.
 
Pushtimi rus i Ukrainës ka eklipsuar bisedimet për klimën
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se bisedimet po eklipsoheshin nga sulmi rus ndaj Ukrainës, i cili ka shkaktuar trazira politike dhe ekonomike në mbarë botën.
“Viti 2022 nuk duhet të kthehet në një vit të humbur për mbrojtjen e klimës”, tha Baerbock në një deklaratë.
“Për shumë shtete, mbrojtja e klimës ka të bëjë me mbijetesën e popullsisë dhe të kulturës së tyre. Për ta, kriza klimatike mbetet çështja më e rëndësishme e sigurisë, jo lufta e Rusisë në Europë.”
Baerbock tha se Gjermania ishte e gatshme që të tregojë solidaritet me vendet e varfra, duke përfshirë çështjen e rëndësishme të humbjeve dhe të dëmeve –kompensimin për humbjet që vijnë nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga emetimet e vendeve të pasura.
 
Egjipti u kritikua për kufizimin e protestave në COP27
Grupet e të drejtave të njeriut kritikuan Egjiptin të dielën për kufizimin e protestave dhe rritjen e mbikëqyrjes së popullsisë gjatë samitit.
Human Rights Watch, një organizatë me qendër në Nju Jork, duke cituar mediat egjiptiane, tha se autoritetet gjithashtu kanë arrestuar dhjetëra njerëz që kanë bërë thirrje për protesta.
“Po bëhet e qartë se qeveria e Egjiptit nuk ka ndërmend të lehtësojë masat e saj abuzive të sigurisë dhe të lejojë fjalën apo grumbullimin e lirë të njerëzve,” tha në një deklaratë Adam Coogle, zëvendësdrejtori i grupit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Human Rights Watch tha se ishte bashkuar me rreth 1,400 grupe të tjera nga e gjithë bota për t’i kërkuar Egjiptit që të heqë kufizimet ndaj grupeve të shoqërisë civile.
Alaa Abdel-Fattah, një aktivist i shquar pro-demokracisë, i cili tashmë është burgosur, e përshkallëzoi grevën e tij të urisë të dielën, në ditën e parë të samitit COP27, sipas familjes së tij.
E afërmja e Abdel-Fattah, një noveliste e vlerësuar me disa çmime, Ahdaf Soueif, tha se ai hyri në një “grevë të plotë urie” dhe ndaloi së piri ujë që në orën 10 të mëngjesit sipas orës lokale.
E shqetësuar se ai mund të vdiste pa ujë, ajo u kërkoi autoriteteve që ta lironin atë, në përgjigje të thirrjeve lokale dhe ndërkombëtare. / Euronews

Burimi