Dalin pamjet e reja filmike, si u largua ish-presidentit Hu nga Kongresi i Partisë Kineze

Vazhdojnë diskutimet rreth mënyrës së largimit, ditë më parë, të ish udhëheqësit kinez, Hu Jintao nga kongresi i Partisë Komuniste të Kinës. Një video e re tregon se si udhëheqësi aktual i Kinës, Xi Jinping sugjeron nxjerrjen e zotit Hu jashtë kongresit të partisë. Zoti Xi Jinping e shfrytëzoi kongresin e partisë, që mbahet çdo pesë vjet, për të forcuar pozitën e tij si udhëheqës i Kinës, duke vendosur në postet më të larta të partisë, besnikë të tij.

Kinë, video e re tregon largimi i ish presidentit Hu nga Kongresi i Partisë
Pamjet e reja tregojnë ish-udhëheqësin Hu Jintao pak minuta përpara se ta largonin nga salla ku mbahej kongresi i Partisë Komuniste. Fillimisht u tha se ai u largua për arsye shëndetësore. Njoftime të tjera thonë se Hu Jintao ishte i pakënaqur nga largimi i bashkëpunëtorëve të tij nga Komiteti i Përhershëm i gjithëfuqishëm i Byrosë Politike.

Kinë, Xi Jinping zgjeron pushtetin, përkrah aleatët

Në këtë video, zoti Hu shihet krahas udhëheqësit tjetër të lartë, numrit tre të partisë, Li Zhanshu, i cili duket se po i shpjegon atij përmbajtjen e një tufe letrash në një dosje me kopertinë të kuqe.

Hu Jintao dukej i hutuar dhe i çorientuar. Në të njëjtën kohë, presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm i partisë Xi Jinping, i ulur në të djathtën e zotit Hu, i bën shenjë një ndihmësi dhe duket se sugjeron largimin nga salla të ish udhëheqësit kinez. Menjëherë pas kësaj, arrin edhe një ndihmës tjetër dhe të dy nisin largimin e zotit Hu nga vendi.

Sjellja e çorientuar e zotit Hu vazhdon derisa zyrtarët duket sikur po e bindin që të largohet. Ndërsa po e nxirrnin nga salla, ish presidenti kinez i flet diçka Presidentit Xi, i cili pohon me kokë dhe më pas, para se të largohet, përshëndet duke prekur në sup, Kryeministrin Li Keqiang, aleatin e tij të ngushtë. Gjatë gjithë incidentit, në sallën e Kongresit ku kishte qindra të pranishëm, mbizotëronte një heshtje varri.

Gazetari kinez në azil tregon historinë e errët të Kinës së presidentit Xi
Ka patur njoftime se ish presidenti 79 vjeçar nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Nuk ka patur njoftime se ai mund të jetë në listë për t’u goditur nga Presidenti Xi Jinping, i cili shpesh i ka akuzuar zyrtarët në pension për korrupsion, ndonëse jo zyrtarë të rangut të lartë si zoti Hu, duke zvogëluar kështu mundësinë e një spastrimi politik.

Media shtetërore e kontrolluar nga qeveria kineze nuk e raportoi incidentin. Por, derisa spekulimet u përhapën shpejt jashtë shtetit, agjencia zyrtare e lajmeve “Xinhua” shkroi në “Twitter” se 79 vjeçari, Hu Jintao ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte nevojë të pushonte. Raportimet e pavarura të incidentit janë fshirë nga interneti kinez, të cilin qeveria e mban nën kontroll të rreptë.

Lexo me shume