Debat në Komisionin e Sigurisë/ “Jemi për të diskutuar për buxhetin”, Xhaferraj: Përse u shkarkua Gledis Nano!? Salianji: S’e përcaktoni dot ju kush është interesi publik

Është zhvilluar me debate Komisioni për Sigurinë Kombëtare ditën e sotme. Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferraj ka kërkuar arsyen e shkarkimit të Gledis Nanos duke i kujtuar edhe statusin e ambasadores Yuri Kim që e cilësonte partner të fortë të SHBA.

Nga ana e tij ministri Çuçi tha se statusi lidhet me punën e Nanos si drejtor i Anti-terrorit. Nga ana e tij Ervin Salianji u shpreh se vëmendja duhet të fokusohet te gjendja e kriminalitetit në vend.

Pjesë nga diskutimi:

Ferdinand Xhaferraj: Mos më ndërprisni herë tjetër. Këtu përfaqësoj opozitën. Ngre më shumë shqetësim edhe për ju kolegë të mazhorancës që nga 13 shtatori i muajit të kaluar ne kemi kërkuar prezencë urgjente në Komision të ministrit të Brendshëm lidhur situatën e rendit me shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë zotin Gledis Nano. Po atë ditë që është shkakruar aleati jonë strategjik SHBA dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim qartësonte se ishte partner i rëndësishëm i SHBA.

hemal Qefalia: Sot jemi për të diskutuar për buxhetin. Të vazhdojmë me rendin e ditës se i shërben dhe kohës në dispozicion.

Bledi Çuçi: Pa dashur t’ju marr kohë nga rendi i ditës, vetëm 2 sqarime shumë të thjeshta për këtë çështje. Shkarkimi dhe emërimi i drejtorit të Përgjithshëm është administrative dhe çdo procedurë është bërë sipas ligjit. E dyta, lidhet me partneritetin tonë, me SHBA. Ju garantoj dhe jam i bindur që edhe ju e dini po kaq mirë se s’ka asnjë përplasje me partnerin tonë strategjik. Ata kanë bërë falënderim për ish drejtorin dhe i kushtohet pjesës kur ka qenë drejtor i Antiterrorit dhe ka pasur lidhje më të ngushtë në atë pozicion. Nuk ka asnjë përplasje, madje asnjë korrespondencë lidhur me këtë gjë, kështu që nuk ka asgjë okulte sepse çdo shkak duhet të ketë dhe pasojën nëse duhet të ketë një situatë okulte që mbështjell këto lëvizje. Është çështje pa rëndësi për opinionin publik. Kam ardhur për sulmin kibernetik. Po pres raportin e FBI dhe Microsoft dhe doja të vija me raport profesionistësh e të mos flisnim me çfarë kemi parë deri tani.

Salianji: Ne kërkuam për procedurë sepse nuk e përcakton as ministër dhe as ju se kush është interesi publik. Gjendja e kriminaliteti e shqetëson thellësisht publikun, ne nuk kemi thënë pse ikën një drejtues dhe vjen një drejtues tjetër. Tani si qenka konsensualiteti. Shqetësimin nuk na e përcaktoni dot ju dhe për këtë nuk duhet të vazhdonte debati. Kemi shqetësim për atë që kemi kërkuar me shkresë. Jemi këtu për të kërkuar llogari për çështje të tjera që ka qeveria dhe ministri të vijë dhe të flasë.

Ministri Çuçi: Sot fillojmë diskutimin për buxhetin e vitit 2023 për Ministrinë e Brendshme dhe dua të them se jemi në një situatë jo normale e shkaktuar nga lufta e Putinit në Ukrainë që ka sjellë destabilizim pa përjashtim të ekonomive europiane, me inflacion jo vetëm në Europë dhe për pasojë edhe Shqipëria nuk mund të mbetet e paprekur nga efektet e kësaj lufte. Një vëmendje në këtë buxhet edhe për sektorë që mbulon MB, ka qenë edhe kjo që lidhet me inflacionin e luftës.

Lexo me shume