Dhjetëra të vdekur pas shpërthimit në minierën turke

Në një minierë qymyri në veri të Turqisë ka pasur një shpërthim në 300 metra thellësi. Të paktën 25 vetë kanë humbur jetën, dhjetëra të tjerë konsiderohen të humbur.

Aksidentet në minierat turke nuk janë të rralla, por shpërthimi i fundit i fortë në një minierë qymyri në veri të Turqisë të premten (14.10.) i kushtoi jetën të paktën 25 personave. Njoftimi për tragjedinë erdhi nga Zyra e Guvernatorit të Provincës Bartin në Detin e Zi natën duke u gdhirë e shtuna, ka shkruar agjencia Anadolu.
6 minatorë të plagosur janë shtruar në spital. Por mendohet se ka ende dhjetëra minatorë të tjerë në bllokuar në thellësi të minierës. Me gjasë shpërthimin në 300 metra thellësi e ka shkaktuar përzierja e gazit të çliruar në  minierë, raportojnë mediat lokale turke. Qindra vetë po marrin pjesë në aksionin e shpëtimit.

Sipas të dhënave të ministrit të Brendshëm turk, Süleyman Soylu në minierë në momentin e tragjedisë kanë qenë brenda 110 minatorë, 49 prej tyre në një pjesë të thellë më të rrezikuar. 36 minatorë janë shpëtuar. Presidenti turk, Erdogan ka bërë të ditur, se do të vizitojë vendin e katastrofës të shtunën për të koordinuar masat e ndihmës dhe se ka filluar hetimi i tragjedisë.

Por partia opozitare socialdemokrate, CHP është shprehur, se autoritetet e kanë injoruar një raport të gjykatës së auditorëve nga viti 2019, në të cilin është paralajmëruar nga një shpërthim për shkak të gazit të përzierë të çliruar në thellësitë e kësaj miniere. Për shkak të mungesës së masave të sigurisë në minierat turke ka pasur disa aksidente të rënda. Në një shpërthim në minierën e qymyrit në Provincën Manisa në rajonin e Egjeut në vitin 2014 humbën jetën 304 vetë./DW

Top ChannelLexo me shume