Dibër/ Aktivitet i paligjshëm në miniera, sekuestrohen 1 ton lëndë plasëse, 6 të arrestuar

1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse, 3 815 kapsolla elektrike dhe 6 të arrestuar, është ky bilanci i operacionit “Toka e artë”, I zhvulluar nga policia në Dibër.

Detajet e operacionit u zbuluan përmes një konference për mediat nga kreu i Policisë Dibër, Dhimitraq Ziu, i cili theksoi se janë goditur raste të shfrytëzimit të minierave, në mënyrë të paligjshme, të magazinimit dhe tregtimit të lëndëve plasëse, të fshehjes së të ardhurave dhe të punësimit të paligjshëm.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga vëllezërit, B. K., 25 vjeç dhe D. K., 21 vjeç (person me precedent të mëparshëm kriminal, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në Krastë, përvetësues dhe shfrytëzues, në mënyrë të paligjshme, të një miniere në Batër, Krastë.

Këta shtetas u arrestuan për veprat penale “Ushtrimi i aktivitetit pa qenë i regjistruar pranë organeve tatimore”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municoneve”.
Dy vëllezërit kishin përvetësuar një galeri në Batër dhe vazhdonin të kryenin punime, me qëllim nxjerrjen dhe shfrytëzimin e materialit minerar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në galeri janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 20 kallëpe me lëndë plasëse dinamit (me peshë 8 kg) dhe 15 kapsolla elektrike.
Gjithashtu, është arrestuar shtetasi H. B., 38 vjeç (minator/zjarrmëtar), punonjës në galerinë e përvetësuar nga dy vëllezërit, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.
Në vijim të operacionit janë arrestuar dhe: I. L., 34 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse, për  veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “Fshehja e të ardhurave”, pasi në subjektin e tij janë gjetur dhe sekuestruar 1 ton e 56 kilogramë lëndë plasëse dinamit dhe 2275 kapsolla elektrike; shtetasi E. L., 33 vjeç, me detyrë minator/zjarrmëtar në këtë subjekt;
K. L., 48 vjeç, banues në Krastë, administrator i një subjekti për përdorim dhe tregtim të lëndëve plasëse,   për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, pasi në subjektin e tij janë sekuestruar 96 kg lëndë plasëse dhe 1525 kapsolla elektrike.
Gjithsej janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 ton e 162 kilogramë lëndë plasëse dhe 3815 kapsolla elektrike dhe janë vënë në pranga 6 shtetas.
Administratorët e të dy subjekteve për përdorimin dhe tregtimin e lëndëve plasëse, njëri prej tyre edhe drejtues teknik i subjektit të tij, konkretisht shtetasi K. L., tregtonin lëndë plasëse në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me rregullat e përdorimit dhe të tregtimit të lëndëve plasëse.
Në bazë të VKM-së nr. 313, të datës 15.04.2015, Policia mori vendim për revokimin e autorizimit të depove për magazinimin dhe transferimin e lëndëve plasëse për subjektet e mësipërme. Gjithashu, i është dërguar shkresë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, për heqjen e licencave të subjekteve të mësipërme.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të paligjshme.
Njëkohësisht, ndaj këtyre dy subjekteve të konstatuara në paligjshmëri me lëndët plasëse po vijojnë hetimet për mënyrën e pajisjes me licencë nga organet përkatëse, për hetimin e ngjarjeve të ndodhura me lëndë eksplozive më parë, në qarkun e Dibrës, si dhe në bashkëpunim me qarqet e tjera, për të parë nese këto subjekte kanë ushtruar veprimtarinë e paligjshme të shitjes së lëndës plasëse, personave të paautorizuar nga ligji.
Ndërkohë, nga ana e strukturave të DVP Dibër do të vijojnë kontrollet për zbatimin e ligjshmërisë për pajisjen e subjekteve të tjera me licencën për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Përfitoj nga rasti të siguroj qytetarët e qarkut Dibër se strukturat policore të këtij qarku janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin e sigurinë, si dhe për të goditur krimin dhe paligjshmëritë. Në këtë kuadër dëshiroj të ftoj sërish qytetarët që të besojnë dhe të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë e qarkut, pasi bashkërisht ndërtojmë një ambient sa më të sigurtë për fëmijët tanë.

Top ChannelLexo me shume