Diplomatët gënjeshtarë po justifikojnë terrorin në Ukrainë: Të dëbohen nga të gjitha ambasadat ruse ne Perëndim

Nga Simon Tisdall “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ashtu si mjegulla që mbulon lumin orët e para të mëngjesit, edhe shpresat për paqe në Ukrainë rriten për një çast, pastaj zhduken sapo nis të fryjë një fllad ere në drejtim të kundërt. Shefi i OKB-së Antonio Guterres zhvilloi disa muaj më parë një mision diplomatik në Moskë dhe Kiev.

Por raketat e Vladimir Putinit kompromentuan gjithçka. Dhe për turpin e saj, Rusia ofrohet e gatshme për bisedime në kuadër të samitit të G20 që mbahet muajin e ardhshëm. Presidenti amerikan Joe Biden reagoi prerë: Rusët nuk janë seriozë, i kam dëgjuar edhe më parë këto deklarata.

Ndërkohë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, sheh qytetet e tij sërish në flakë nga bombardimet, dhe zotohet të mos negociojë kurrë për sa kohë në krye të Rusisë do të vazhdojë të jetë Putin. Turqia po luan një lojë të dyfishtë: ajo e ngatërron qëllimisht ndërmjetësimin me bashkëpunimin e fshehtë me Rusinë.

Ndërkaq, një botë e tronditur nga përshkallëzimi i frikshëm dhe nga kërcënimet e luftës bërthamore, thërret e alarmuar: “Kur do të përfundojë kjo luftë? Dhe si?”. Pavarësisht se çfarë thotë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, opinioni ndërkombëtar është kundër luftës së Putinit.

Më shumë se 140 vende e dënuan Moskën në OKB javën e kaluar. Vetëm Koreja e Veriut, Siria, Bjellorusia dhe Nikaragua votuan në mbështetje të saj. “Rusia ka dështuar në fushën e betejës si dhe në OKB”- deklaroi  ambasadorja britanike në OKB, Barbara WoodWard.

Por pavarësisht nga ky konsensus i madh kundër luftës, i mbështetur nga treçereku i vendeve të botës; pavarësisht deklaratave solemne se mizoritë e fundit janë “të papranueshme” dhe që aneksimet e Rusisë janë të paligjshme; dhe pavarësisht nga mos-sinqeriteti i Kremlinit mbi bisedimet për paqe, mungojnë tërësisht hapat thelbësorë për të ndalur luftimet në front dhe për të pasur një proces të vërtetë paqeje.

Presidenti francez Emmanuel Macron, u përpoq shumë. Por telefonatat e tij të përsëritura me Putinin rezultuan të pafrytshme dhe madje nxitën ndaj tij akuza. Pas dështimit të tij në Kiev, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, e ka reduktuar misionin e tij në lutjet e herëpashershme ndaj palëve për uljen në tryezën e negociatave.

Edhe suksesi i tij i vetëm – heqja e bllokadës ruse ndaj grurit ukrainas në Detin e Zi – është tashmë i rrezikuar. Disa shpresonin se Kina mund të vepronte si një ndërmjetës i ndershëm në këtë konflikt. Por Pekini, që po e shijon shqetësimin e madh në Perëndim mbi krizën, dhe që po e blen naftën ruse me çmim më të ulët, preferon t`i reduktojë në minimum pritshmëritë, duke shprehur vetëm “shqetësim” për situatën.

Edhe kryeministri Izraelit, Naftali Bennett, u ofrua të luante rolin e paqe-bërësit. Por edhe ai u mashtrua nga Putin dhe Lavrov. Arsyeja pse nuk ka ende paqe – pra arsyeja pse nuk funksionon diplomacia – është shumë E thjeshtë: Putin nuk e dëshiron atë.

Që kur SHBA paralajmëroi për herë të parë për pushtimin rus, ai i ka kundërshtuar të gjitha përpjekjet për t’i zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet me Ukrainën. Ai nuk arriti që të aneksojë me forcë të gjithë Ukrainën. Ndaj tani po na kërcënon me tmerre edhe më të mëdha, dhe po i shmang negociatat serioze.

Diplomacia e drejtuar nga regjimi i Putinit, është shndërruar në një farsë të shëmtuar, në një ushtrim cinik të gënjeshtrës dhe keqinformimit. Lavrov po zbaton thënien e Leninit: “Një gënjeshtër që thuhet shumë shpesh bëhet në fund e vërtetë!”. Ndërsa këmbëngul të na mbushë me bindjen se e zeza është e bardhë, se Toka është e sheshtë, dhe që Rusia është një vend i lirë, Putin po godet pa dallim civilët, po udhëron krimet e luftës, dhe më pas pretendon se është në luftë kundër fashizmit.

“Një gjurmë gjaku lihet pas nga delegacioni rus kur hyn në Asamblenë e Përgjithshme, dhe salla mbushet me erën e mishit të njeriut që digjet”- deklaroi në sallën e madhe të OKB-së ambasadori i Kievit, Sergiy Kyslytsya. Veprimtaria e tyre nuk ishte normale diplomatike, sugjeroi ai. Diplomatët rusë ishin një front për mbrojtjen e terrorizmin shtetëror dhe vrasjeve në masë.

Bashkimi Evropian, vendet e G7, Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, mbajtën bisedime urgjente javën e kaluar. Por shënuan një përparim shumë të kufizuar në përgjigje të fushatës së intensifikuar të bombardimeve të Putinit në Ukrainë. Sanksione të reja, më shumë mbrojtje nga sistemet raketore, paralajmërime verbale. U morën parasysh të gjitha mjetet e zakonshme të presionit.

Që të gjithë u shprehën të tronditur. Por kjo nuk mjafton. Udhëheqësit perëndimorë duhet të vendosin tani të përdorin të vetmen armë të madhe jo ushtarake që e kanë ende si rezervë. Është koha të mos pretendojmë më se Rusia e Putinit është një vend normal. Ka ardhur koha ta pranojmë se diplomacia ka dështuar.

Dhe se është koha për të kompletuar izolimin e Moskës, duke tërhequr nga aty të gjithë diplomatët amerikanë, evropianë dhe të vendeve të G7, të mbyllim të gjitha ambasadat perëndimore dhe të dëbojmë zyrtarët rusë në forumet ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.

Të gjithë diplomatët rusë duhet të dëbohen njëkohësisht. Kjo lëvizje do ta çlironte Perëndimin nga një grusht gënjeshtarësh profesionistë, që ndotin mjedisin me propagandën  e tyre. Po ashtu, do të sillte avantazhin e shtuar të neutralizimit të spiunëve, vrasësve dhe diversantëve që i përdorin ambasadat ruse si mbulesë për veprimtarinë e tyre dhe që për shembull hodhën në erë rrjetin hekurudhor të Gjermanisë në fillim të këtij muaji.

Argumenti konvencional – sipas të cilit është jetike të ruhen kanalet e komunikimit me një armik – është i tepërt në rastin e Rusisë. Njerëzit e Putinit nuk e dëgjojnë Perëndimin apo diplomatët e tij, dhe nuk ndajnë të njëjtat premisa bazë në lidhje me faktet, të vërtetën dhe ligjshmërinë.

Ky regjim i jashtëligjshëm flet një gjuhë tjetër, të përfaqësuar nga mashtrimi dhe mohimi. Nuk mund t’i besohet aspak fjalës së tij. Nëse të dërguarit e saj do të tërhiqeshin masivisht, nuk ka shumë gjëra që Perëndimi nuk do të mund t’i zbulonte mbi politikën dhe politikat e Rusisë.

Në epokën e mbikëqyrjes satelitore globale dhe përgjimeve dixhitale, koncepti ngushëllues i “njeriut tonë në Moskë” është i modës së vjetër. Megjithatë, nëse Putini mbyll kufijtë e Rusisë, të dërguarit perëndimorë mund të merren peng. Nëse një komunikim me Kremlinin është vërtet i nevojshëm, telefoni është gjithmonë aty.

Por si mund të reagojë Putin ndaj izolimit gati të plotë diplomatik? Do të ishte një poshtërim i madh, duke e degraduar Rusinë në rolin e një shteti të përbuzur. Kjo lëvizje mund të dëmtonte lidhjet me vende të tilla si Kina dhe India, të cilat kanë marrëdhëniet e tyre me Perëndimin.

Dhe ndërsa vetë Putin mund të mos e ndryshojë menjëherë sjelljen e tij, ky akt do të bëjë që rusët dhe institucionet atje ta kuptojnë realisht se në çfarë katastrofe të plotë po i zhyt Putin. Nga ana tjetër ukrainasit duhet të injorojnë zërat e atyre që kërkojnë një “ngrirje” të vijës së frontit apo kompromise të tjera diplomatike.

Herët a vonë, populli rus, ndoshta me ushtrinë e tij rebele në plan të parë, do ta refuzojë këtë regjim të neveritshëm. Ky mund të jetë momenti kur gjithçka do të nisë të ndryshojë, momenti kur do të ngrihet mjegulla, dhe kur do të duket qartë fundi i luftës dhe bashkë me të, edhe fundi i diktatorit. Me siguri që në fund Putin do të bjerë. Por nuk do të jetë diplomacia ajo që do ta rrëzojë. /abcnews.al

Lexo me shume