Dita e Ujit të Bekuar, të rinjtë sfidojnë temperaturat për të kapur kryqin_663a73b9318f7.jpeg

Dita e Ujit të Bekuar, të rinjtë sfidojnë temperaturat për të kapur kryqin

Në qytetin e Fierit besimtaret ortodoksë paraditen e sotme kanë festuar ditën e ujit të bekuar. Me këtë rast kisha e Shën Gjergjit e këtij qyteti ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë.
Procesioni ka nisur me meshën në kishë dhe më pas vargu i gjatë i besimtareve i janë drejtuar shatërvanit në sheshin “Europa”, ku si për çdo vit tjetër ndiqet hedhja e kryqit në ujë. Në praninë edhe të qindra besimtarëve ortodoks si dhe të qytetarëve të tjerë është ndjekur edhe momenti e hedhjes se kryqit në ujë. Disa të rinj sipas zakonit në të tilla ceremoni kanë sfiduar të ftohtin dhe janë hedhur në ujë kur është hedhur kryqi, të motivuar për të fituar trofeun dhe më pas shpërblimin.
Ka qene 30 vjeçari Dhimitër Kapaj ai që ka nxjerrë kryqin nga uji. Ai i ka dorëzuar kryqin metropolititit At Nikolla i cili edhe e ka bekuar.
Edhe në qytetin e Elbasanit është festuar ditën e sotme ‘Dita e ujit të bekuar’. Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë është zhvilluar në një nga pishinat në periferi të qytetit.  Edhe pse temperaturat kanë qenë tepër të ulëta të rinjtë janë futur në ujë për të kapur kryqin që u sjell fat. Ceremonia e ujit të bekuar në Elbasan u drejtua nga metropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Imzot Andoni, ndërsa u ndoq nga mjaft besimtarë. Fitues ishte 13-vjeçari Vangjel Bilbili.
Dita e ujit të bekuar është mbajtur këtë të shtunë edhe në qytetin e Gjirokastrës. Kremtimi i festës ka nisur në kishën Ringjallia e Krishtit ku u mbajt mesha me të gjithë besimtarët ortodoks , dhe me pas vijuan pranë lumit Drino ku kryen ritualin e hedhjes së kryqit. Njësoj si në Elbasan, edhe në Gjirokastër kryqi u kap nga 13 vjeçari  Moisi Mërkuri.
Dita e Ujit të Bekuar është festuar edhe në Korçë, ku dhjetëra besimtarë morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit.
Kryqin e ka nxjerrë nga uji 25-vjeçari Ronaldo Kovaçi.
Ky rit fetar i ortodoksëve është shënuar si dita e Shën Trinisë kur Krishti pasi mbushi 33 vjet u pagëzua nga ujërat e Lumit Jordan nga Gjon Pagëzori.
Në 6 janar, të krishterët festojnë dhe përkujtojnë mbërritjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit dhe momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre. Me këtë kremtim, Kisha kërkon të tregojë se Jezu Krishti nuk erdhi vetëm për izraelitët, por për mbarë botën.
Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.
 

Burimi