Dosja “Xibraka”/ SPAK thërret sërish Bardhin të japë shpjegime

Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka thirrur sërish kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për të dhënë dëshmi për dosjen “Xibraka” ku sipas Bardhit ka dyshime se është i përfshirë edhe Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.
Seanca do të duhej të zhvillohej të mërkurën e 15 majit, por Bardhi ka njoftuar se nuk mund të paraqitet pasi ndodhet për një vizitë në Bundestagun gjerman. Në një njoftim të Grupit të Partisë Demokratike thuhet se Bardhi ka kërkuar për të shtyrë datën e dhënies së dëshmisë. Kështu Bardhi do të paraqitet më datë 24 në orën 10:00. 
“Në vijim të kërkesës së Kreut të Grupit të PD Gazment Bardhi për pamundësinë për tu paraqitur nesër në SPAK, për shkak të një vizite zyrtare në Bundestag, ju informoj se z. Bardhi do të paraqitet më datë 24.05.2024, ditën e premte, ora 10:00, me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni për rrethana të hetimit, në lidhje me procedimin penal nr. 88, të vitit 2024, të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas rifillimit të hetimeve të pezulluara në lidhje me procedimin penal nr. 335/1 (dojsa “Xibraka”), të vitit 2016 të regjistruar në ish-Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Renda, Tiranë” – thuhet në njoftimin e grupit të PD.
Hetimet për këtë çështje janë riaktivizuar nga SPAK pas denoncimeve publike nga ana e Bardhit. ©LAPSI.al

Burimi