Drafti, nëpunësit e njësive teknike të AKSHI-t, deri 500 mijë lekë në muaj shtesë mbi pagën_664368544695b.jpeg

Drafti, nëpunësit e njësive teknike të AKSHI-t, deri 500 mijë lekë në muaj shtesë mbi pagën

Nëpunësit e njësive teknike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe drejtori i përgjithshëm i saj mund të përfitojnë shtesë mbi pagën deri në 500 mijë lekë.
Të paktën kështu parashikon një draft i nxjerrë për konsultim nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e cila argumenton se kjo është një mënyrë për të plotësuar me staf të përshtatshëm pozicione kyçe që për hir të pagave më të ulëta se tregu mbeten të paplotësuara.
Konkretisht në nenin 34 të ligjit “Për qeverisjen elektronike” parashikohet se “Drejtori i Përgjithshëm dhe nëpunësit e njësive teknike të përmbajtjes së AKSHI-t, përveç pagës sipas kategorive të pagës së përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përfitojnë një shtesë për natyrë të veçantë pune deri në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë në muaj. Masa e shtesës për natyrë të veçantë për secilën kategori përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Relacionin që shoqëron këtë projektligj argumenton se kjo masë heq kufizimin që ka AKSHI për të rekrutuar staf cilësor me kushtet e tregut.
“Është parashikuar edhe përfitimi i një shtese për natyrë të veçantë pune çdo muaj. Ky parashikim vjen si rezultat i vështirësive të vazhdueshme që AKSHI has në lidhje me rekrutimin e stafit për shkak të pagave të kufizuara, të cilat nuk janë në nivelin e pagave që ofron tregu për këto detyra dhe funksione specifike.
Sqarojmë se, pagat e punonjësve që përmbushin funksione të tilla specifike në fushën e teknologjisë së informacionit, janë relativisht të larta në treg. AKSHI aktualisht për shkak të kuadrit ligjor ekzistues, has pengesa për rekrutimin e ekspertëve më të mirë. Pra mungon një skemë atraktive pagash që të sigurojë përthithjen e nevojshme të ekspertizës së burimeve njerëzore dhe më tej qëndrueshmërinë e tyre në Agjenci” thuhet në relacion.
Drafti i rishikuar i ligjit i nxjerrë tashmë për konsultim parashikon gjithashtu ofrimin e shërbimit të nënshkrimit elektronik për shtetasit shqiptar dhe të huaj, ndryshim ky i cili sjell risi të shumta për qytetarët, duke përfshirë lehtësimin e procedurave administrative, reduktimin e nevojës për printim dhe dorëzim fizik të dokumenteve dhe sigurimin e një mënyre të sigurt dhe më të lehtë për të firmosur dokumentet.
Një tjetër ndryshim i propozuar në projektligj është edhe shfuqizimi i ligjit nr.13/2016 me të cilin funksionon ADISA. Me shkresën nr. 56 prot., datë 22.01.2024, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje ka përcjellë kërkesën për shfuqizimin e ligjit nr.13/2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, i cili është ligji themeltar i funksionimit të ADISA-s, duke qenë se, me mbylljen e sporteleve fizike, si dhe duke mbajtur në konsideratë se 50% e përmbajtjes tij është e pazbatueshme për arsye se tanimë e ka kryer misionin që kishte, duhet shfuqizuar./Monitor

Burimi