DSSH Junior / Pesë punimet më të mira Master vlerësohen me Çmimin e Presidentit të UET

Jo thjesht një temë për të mbrojtur diplomën Master për ta lënë më pas të zërë pluhur në sirtarë. Një kërkim i aplikuar, që kalon komisionet e pedagogëve, vlerësohet nga një bord përfaqësuesish  të tregut të punës dhe botohet në një revistë shkencore.

Mbi këtë ide, Universiteti Europian i Tiranës ngriti konkursin DSSH Junior, duke u dhënë të rinjve mundësinë e hyrjes në botën e kërkimit shkencor.  Duke marrë shkas nga konferenca shkencore, traditë e përvitshme Ditët e Studimeve Shqiptare, UET vendosi ta zgjerojë duke përfshirë edhe kërkuesit e rinj.

Në të katërtin edicion të tij, pesë të diplomuar në nivelin Master- Shkencor dhe Profesional-përfaqësues të pesë fakulteteve, u nderuan me Çmimin e Presidentit të UET.

“Nga viti në vit shohim rritje të cilësisë së kërkimeve të studentëve dhe kjo na kënaq pa masë”, u shpreh gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Zv/Rektorja për Kërkimin Shkencor, Drita Kruja.

Ajo pohoi se kënaqësi e veçantë është edhe për pedagogët udhëheqës, të cilët e kanë ndjekur përgjatë një viti punën kërkimore të studentëve.

Duke qenë se këto punime janë vlerësuar njëherë gjatë mbrojtjes së diplomës, UET ka menduar që juria të jetë e larmishme, duke përfshirë në të anëtarë të Bordit të Tregut të Punës, një indikator i menjëhershëm se cilat janë nevojat e reja të tregut për profesionistë.

Çmimi i Presidentit për Fakultetin Ekonomik i shkoi studentes Alma Uku. Kevin Topi ishte studenti i vlerësuar me këtë çmim për Fakultetin Juridik dhe Fiona Çela për Fakultetin e Shkencave Humane, të Edukimit dhe Arteve Liberale. Për Fakultetin e Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, juria përzgjodhi studenten Megi Duçi, ndërsa Ermira Asllani u vlerësua me punimin më të mirë për Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike.

“Ky kompeticion krijoi një motivim edhe më të madh dhe për më tepër kishte angazhime që do ta vazhdonin temën…”, tha dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Voltisa Lama. Ajo i shtoi studentët të kontribuojnë për revistën shkencore, “Medicus”,  të fakultetit që përfaqëson. Ajo vlerësoi më tej cilësinë e punimeve, duke zbuluar se shtrirja ishte edhe jashtë kufijve, me dy të tilla nga Kosova.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Elvin Meka tha se këto pesë tema fituese, do të pranohen për botim në revistat shkencore të fakulteteve përkatës, ku bashkë me “Medicus” janë “Jus&Justicia”, “Economicus”, “Polis” dhe “Ingenius”.

“Kjo është një tjetër arritje, një promovim apo dalje mbi ujë nga anonimati”, tha dekani Meka, duke shtuar se tani punimet e këtyre studentëve dalin përtej universitetit drejt një auditori më të madh, për të hyrë në detin e madh shkencor.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Belina Budini, tha e emocionuar se pedagogët udhëheqës ndihen pjesë e kontributeve të studentëve. Ajo i ftoi studentët fitues t’i përkthejnë punimet e tyre në gjuhën angleze, duke i ofruar gjithashtu mbështetjen e stafit akademik, që më pas të botohen në revistat shkencore.

Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Juelda Lamçe pranoi se kishte qenë e vështirë të zgjidhje një fitues të vetëm.

Teuta Xhindi, dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës përgëzoi të rinjtë për punën e bërë.

Certifikata pjesëmarrjeje u ndanë për të gjithë studentët konkurrues në këtë edicion të DSSH Junior.

Zv/Rektorja Kruja theksoi se në këtë edicion iu është dhënë rëndësi temave origjinale, ndërsa secila prej tyre ka kaluar filtrat në programet kundër plagjiarizmës. “Kultura dhe edukatë e të punuarit mirë, është reflektuar”, shtoi zonja Kruja. Ajo vlerësoi punimet e studentëve të Masterit Profesional, që sipas zv/rektores kanë kryer kërkim të aplikuar. Është ky lloj kërkimi që u vjen në ndihmë jo vetëm studentëve, por edhe industrisë. Përfshirja  e Bordit të Tregut të Punës në juri është një vlerësim i shtuar për punimet, që i bën të shitshme dhe me vlerë për industrinë. Zv/rektorja tha se ky konkurs është një hap drejt studimeve doktorale, ndërsa cikli i tretë i studimeve u rihap në UET pas disa vitesh, ku qeveria kishte vendosur t’i mbyllte doktoraturat në të gjithë institucionet e arsimit të lartë, publik e privat.

Kjo ceremoni  u krye në kuadër të Ditëve Erasmus 2022,  ku studentë shqiptarë që kanë pasur një përvojë semestrale në një prej universiteteve europiane, falë marrëveshjeve që UET ka, në kuadër të projekteve Erasmus+, por edhe studentë të huaj që kanë zgjedhur një përvojë akademike në këtë universitet, takohen për të këmbyer mes njëri-tjetrit.

Lexo me shume