“Dua ta çoj deri në fund objektivin e Euro 2024”, Reja flet hapur: Kam energji, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Eduardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencë për mediat para ndeshjes miqësore ndaj Arabisë Saudite.

“Kuqezinjtë” do të ndeshen më 26 tetor në “Al Nahyan Stadium”, Abu Dhabi, ndërsa në skuadër si kurrë më parë janë thirrur 14 futbollistë të Superiores, kjo për shkak të kalendarit të skuadrave europiane.

14 lojtarë nga Superiorja:

“I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t’i shikoj nga afër, edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. Tri vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull: Hoxhallarin, Seferin apo Trashin”.

E ardhmja e teknikut Reja:

“Flitet shumë për të ardhmen, por pjesa e moshës është thjesht faktor psikologjik. Kam shumë besim të kjo skuadër. Objektivi im fillestar ishin eliminatoret e Euro 2024. Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve, nuk dua të kërkoj alibi. Unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e Euro 2024. Dua të qëndroj, sepse kam energjinë e duhur, por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar”.

Besimi te kjo skuadër:

“Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në Europian. Ne ishim shumë pranë ‘play-off’-it të Botërorit, por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë, ku në një rast Uzuni madje gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe”.

Objektivi “Euro 2024”

“Ne mund ta luajmë kualifikimin me Çekinë, por në eliminatore lojtarët duhet të jenë në formë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në eliminatore, por unë jam i bindur që do të bëjmë mirë. Nuk është thjesht çështje dëshire, ne duhet t’i luajmë shanset tona deri në fund”.

Lojtarëte rinj të afruar në ekip:

“Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë, por fillimisht duhet t’i vlerësoj. Kemi bërë shumë ndryshime, kemi marrë vendime, por është shumë e vështirë që të ndryshojë grupi aktual me 23 lojtarë që unë kam. Nuk i nënvlerësoj ata që luajnë në Shqipëri, por kanë pak eksperiencë”.

Gabimet dhe golat e pësuar në minutat e fundit:

“Nuk mund t’i fal më këto rënie tensioni në minutat e fundit. Nuk mund të hedhim poshtë punën e bërë, dhe këto gabime nuk i fal më. Nëse vazhdon të gabosh në fund, atëherë je gjysmë-lojtar, sepse ndeshjet nuk luhen 90 minuta por 100 minuta. Në këtë këndvështrim duhet të jemi më të vëmendshëm.

Mentaliteti është i gabuar sepse ka ndodhur në 5, 6 apo 7 ndeshje. Tani nuk mund të gabojmë më as një presje në fundin e ndeshjeve. Unë fola me lojtarët, ndeshjen e fundit isha shumë i nxehur. Nuk pranoj më solistë në ekip, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën, në të kundërt nuk kanë më vend në skuadër. Lojtarët që nuk do të kenë përqendrimin e duhur, nuk mund të jenë pjesë e grupit”.

Lexo me shume