Duro dëshpëron Kukësin në debutimin me Egnatian: fitore në ekstremet e fazës së parë për Laçin

Pasi kishte triumfuar në debutim ndaj Teutës, kurbinasit provojnë për herë të dytë suksesin në javën e fundit të fazës së parë. Laci imponohet  0-1 në transfertën me Kastriotin. Buzëqesh Shpëtim Duro në debutimin e tij në pankinën e Egnatias, fituese 0-1 ndaj Kukësit. Dëshpërohet Dobi që pëson humbjen e parë pas tre fitoreve radhazi në kampionat.

KASTRIOTI 0-1 LAÇI

Laçi ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme ndaj Kastriotit, duke lënë vendin e fundit të klasifikim dhe duke mbërritur dy distanca nga zona e shpëtimit. “E dinim që skuadra do të merrte formën e vetë. Më kanë pëlqyer 20 ditët e fundit. Ndeshja me Tiranën, në Kupë dhe Vllazninë – tha Vukicevic. Na duhej një ndeshje si sot, nuk është vetëm për tre pikët. E dinim që ishte një ndeshje e vështirë, ndeshje ndryshe, shumë e komplikuar, me një ekip që luan me zemër deri në fund. Një tjetër problem janë pikët, që nuk duhet të mendojmë për lojë të bukur, por për pikët”.

Gjithçka është zgjidhur me një gol të shpejtë të Ujkës. Më pas kurbinasit administruan avantazhin, duke përfituar nga ndërprerjet e vazhdueshme të lojës. Faullet e shumta ulën ndjeshëm ritmin e sfidës, duke favorizuar interesin e bardhezinjve: “E ka ndryshuar shumë. Unë i respektoj të gjithë në ekipin tonë dhe nëse dikush më pyet mua se cilët nga lojtarët nuk do të doja të dëmtuar është Ujka, sepse i jep balancim lojës. Ne nuk kemi shumë lojtarë me karakteristika sulmuese, por është një mesfushor i kompletuar”, theksoi tekniku malazez, duke shtuar synimin e qartë “Objektiv për fazën e dytë? Shumë normale. Të fitojmë të gjitha ndeshjet”.

KUKËSI 0-1 EGNATIA

Egnatia ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme 1-0 përballë Kukësit në transfertë, në javën e nëntë të Superiores. Blutë i dënoi një autogol i Fereiras. Portugezi ishte lideri i mbrojtjes që nuk pësonte gol prej 270 minuta lojë. “Këto 4 seanca që kam bërë me skuadrën, kemi studiuar kundërshtarin – zbuloi tekniku i Egnatias Shpëtim Duro -. Ishte po ajo skuadër me ndonjë ndryshim, djemtë kanë luajtur jashtëzakonisht mirë, me fanatizëm në zbatimin e detyrave, eliminuam pikat e forta të tyre. Kjo ndeshje, nëse do të shfrytëzonim mundësitë në fillim, nëse në më tej me Delarzhin do shënonim rastet e krijuara, ndeshja do të ishte shumë e lehtë”.

Kështu Shpëtim Duro e nis me një fitore aventurën e tij te Egnatia, duke ndalur marshimin e Kukësit, që triumfonte në 5 ndeshje radhazi, mes kampionatit e Kupës. “Përderisa mora përsipër këtë detyrë, nuk do të ktheja kokën mbrapa. Por e rëndësishme do ishte ta merrja në verë ta ndërtoja me idetë e mia”.

Egnatia ngjitet në vendin e 4 me 12 pikë, ndërsa Kukësi vetëm në vendin e 6 me një pikë më pak. E megjithatë problemet janë në skuadër dhe janari duket larg: “Për mua skuadra nuk është ndërtuar mirë, ka lojtarë shumë të mirë. Por struktura e skuadrës është ndërtuar jo mirë. Në mesin e fushës luajnë 2 ose 3 mesfushorë dhe aty janë 7 që për mua është jashtë logjike. Në sulm luan një ose dy, janë 5. Në krahë ka mangësi, janë vetëm Fangaj dhe Musta, nuk ka zëvendësues. Ka lojtarë të rinj por jo të atij niveli” përfundoi Duro.

Lexo me shume