Dy lutjet e Ramës në mëngjes dhe në darkë

Kryeministri Edi Rama, duket se i ka kthyer sytë nga qielli për të dalë nga telashet. Kriza energjetike dhe çmimet e naftës kanë rritur pakënaqësinë dhe tani si rrugëzgjidhje kryeministrit i ka mbetur vetëm të kërkojë “ndihmën e Zotit”.

Për furnizimin me energji, lutet të bjerë shi e për të ulur çmimin e naftës shikon mos po del ndonjë burim nga nëntoka. Moti i qëndrueshëm për kryeministrin është fat i keq.

“Kemi ardhur në një kohë kur perëndia të na fali e shohim diellin me inat. Edhe për muajin nëntor po presim nëse do na krijohet një mundësi që për momentin nuk e kemi. Për momentin duhet të kursejmë, kursejmë”, u shpreh Rama në një nga daljet e tij të përditshme.

Rama vijon të justifikohet duke thënë se gjithë këtë lutje po e bën për të lehtësuar barrën e familjeve shqiptare dhe bizneseve të vogla.

“Qeveria është aty sepse ka marrë besim për të bërë të pamundurën për të lehtësuar barrën. Nëse nuk do kishim mbrojtur çmimin e energjisë elektrike për bujtinat shumë nga ju do kishin falimentuar.  Shikoni se çfarë ndodh në vende shumë më të përparuara se ne”, tha me mburrje kreu i ekzekutivit.

Madje kryeministri ka menduar edhe një ide gjeniale. Bashkë me grupin e tij qeverisës po diskuton për vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë. Rama tha se këta prodhues kanë fitime marramendës. Mirëpo sipas kryeministrit edhe këtë e ka në dorë fati.

Sa i takon naftës i ka varur shpresat te SHELL. Rama lute çdo ditë që kompania të gjejë naftë.  “Është cilësia më e lartë në botë, super e lehtë. Problemi është te komercializmi i saj se është shumë thellë. SHELL po teston nëse ka sasinë e mjaftueshme për të justifikuar investimin. Bëhet fjalë për të ardhura që ndryshojnë fuqinë ekonomike të Shqipërisë. Por kjo është një ëndërr e bukur për momentin se nuk mund ta themi me siguri se mund ta komercializojmë naftën shqiptare”, tha Rama pak ditë më parë.

Shpresojmë dhe ne që Zoti të dëgjojë lutjet e kryeministrit, pasi dhe vetë shqiptarët kanë mbetur në dorë të Perëndisë, pasi qeveria ka vite që është me pushime./ Pamfleti

Lexo me shume