Dyshohet se vodhi 173 mln lekë në një supermarket në Sarandë, refuzoi dhënien e ADN-së, prokuroria urdhëron të merret me forcë

Prokuroria e Sarandës ka urdhëruar marrjen pa pëlqimin e tij të analizës së ADN-së për 41-vjeçarin Edmond Duzha, një nga dy personat e dyshuar për vjedhjen e rreth 173 mln lekëve të vjetra në Supermarket “Halo” në Sarandë në 11 dhjetor 2021.

Vendimi, i cili është pranuar nga Gjyqtari Fatmir Ndreu, është marrë në 30 shtator ndërkohë që afati për marrjen e analizës ishte 10-14 tetor, nga ora 09.00-14.00. Vendimi i Gjykatës ka nxjerrë në pah edhe një tjetër fakt të pa bërë publik, konkretisht lirimin e Duzhës nga paraburgimi i Sarandës, pasi sipas vendimit të gjykatës, marrja e kampionit biologjik duhet të bëhej në banesën e tij në fshatin Tale, Njësia Administrative Shën Koll, Bashkia Lezhë ku ndodhet në masën “Arrest në shtëpi”.

E paqartë se si Duzha është liruar nga qelia, por mësohet se ai ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për marrjen e kampionit biologjik, duke detyruar marrjen e një vendimi gjyqësor për analizën e ADN pa pëlqimin e tij.
Konkretisht i njoftuar me vendimin e Prokurorit, nëpërmjet aktit “deklaratë”, të datës 02.09.2022, ora 12.10, shtetasi nën hetim Edmond Duzha deklaron: “Konfirmoj se jam njoftuar në lidhje me arsyen e marrjes së kampionëve biologjikë dhe nuk jam dakord me marrjen e saj për ekzaminime të mëtejshme biologjike”.

Prokuroria pritet ta krahasoje analizën e ADN të Duzhës me disa kampione ADN të marra në një banesë, konkretisht me mbetje marrë me tampon në kapakun e çelësit që ndez / fik dritat në korridorin e banesës, mbetje marrë me tampon në kapakun e çelësit që ndez / fik dritat në sallonin e banesës, mbetje marrë me tampon në butonat e telekomandës me mbishkrimin “Alb – Tv”, mbetje marrë me tampon në butonat e telekomandës me mbishkrimin “RM-715A”. Gjithashtu, kryerja e ekspertimit biologjik ADN-je është urdhëruar edhe mbi provën: “një lidhëse plastike e verdhë si llastik që përdoret për të lidhur kartmonedhat, marrë në vendngjarje”.
Duzha u arrestua në 29 dhjetor 2021 si i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim të rreth 173 milionë lekeve në Supermarket “Halo” në Sarandë në 11 dhjetor 2021.

Duzha, banues në Laç, një ish i dënuar në Itali për “vjedhje” dhe “dhune/sulm ndaj forcave të policisë” akuzohet se bashkëpunoi në vjedhje me Bekdash Cukallen, një 38-vjecar, banues në Sarandë, pronar i firmës së mirëmbajtjes së kamerave të sigurisë së Supermarketit, edhe ky i arrestuar në të njëjten ditë me të. Sipas dosjes së prokurorisë, hetimet e se cilës po kryhen nga Prokurori Ilir Hoxha, në vjedhje morën pjese 3 persona, të cilët janë filmuar nga disa kamera sigurie në subjekt por edhe në qytet.

Lexo me shume