“E gjeta të shtrirë në tokë në komisariat, fajin e ka policia”, trondit shoku i Lear Kurtit

Një nga shokët e Lear Kurtit, në një lidhje telefonike ekskluzivisht për emisionin “Riview” në Euronews Albania, është shprehur se 32-vjeçarin e ka gjetur të shtrirë në tokë në komisariat. Ai u shpreh se ndaj Lear Kurtit është ushtruar dhunë barbare ndërsa theksoi se policia nuk i ka dhënë ndihmën e parë.

“Kam shkuar në rajon atë natë dhe Learin e  kam gjetur të shtrirë në tokë. Para dy javësh Leari ishte në të njëjtën situatë. Fajin e ka të gjithë policia, sepse nuk i ka dhënë ndihmën e parë dhe e dyta ka pasur dhunë. Kanë ushtruar dhunë të tepruar. Learin e kanë goditur në kokë dhe në trup”- u shpreh ai.

Laer Kurti, 32vjeç ndërroi jetë, mbrëmjen e së mërkurës (19 tetor) pasi u shoqërua në komisariatin nr.3 në kryeqytet.

Përmes një njoftimi, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tha se mbrëmjen e 19 tetorit, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës, efektivët kanë konstatuar Laert Kurtin duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, Kurti është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të njëpasnjëshme të punonjësve të Policisë për të ndaluar.

Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta.

I riu u shoqërua në komisariat dhe hetimi paraprak del në përfundimin se ai humbi jetën për shkak se ka gëlltitur një qese me drogë, për t’ju shmangur kapjes nga policia.

 

Lexo me shume