E kërkoi Abazoviç, Parlamenti malazez miraton shkarkimin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm; një tjetër jep dorëheqjen

Parlamenti i Malit të Zi ka pranuar kërkesën e kryeministrit Abazoviç për shkarkimin e ministrit të Jashtëm dhe atij të Mbrojtjes, i cili mbante dhe postin e zv/kryeminsitrit.

Pak ditë më parë Dritan Abazoviç dorëzoi në Kuvend propozimin për shkarkimin nga detyra të zëvendës kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Rashko Konjeviç si dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiç.

Me 41 vota pro, nga 81 në total, u votua për shkarkimin e tyre.

Në propozim, thuhet se veprimet e tyre që prej votimit të mosbesimit ndaj qeverisë e deri më tani, kanë devijuar nga qëndrimi zyrtar i ekzekutivit.

Në periudhën prej votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë deri në dorëzimin e këtij propozimi, veprimet publike të ministrave Konjeviç dhe Krivokapiç në vazhdimësi kanë devijuar nga qëndrimi zyrtar i Qeverisë, ndërsa menaxhimi i tyre i departamenteve të mbrojtjes dhe punëve të jashtme, ka penguar punën e Qeverisë”, thuhet në shpjegimin e Propozimit të cilin Abazoviç ia ka dorëzuar Kuvendit të Malit të Zi.

Ndërkohë pas zhvillimeve, ministri pa portofol Adrijan Vuksanoviç dha dorëheqjen. Ai e cilësoi si të papranueshëm vendimin e Parlamentit.

Prej disa muajsh, Abazoviç është në konflikt me Krivokapiç e Konjeviç, ku kanë hedhur edhe akuza në drejtim të njëri-tjetrit.

Por shkarkimi i tyre lëkund pozita e presidentit Gjukanoviç. Deputetët e tij kanë votuar kundër shkarkimi të ministrave, ndërkohë që Abazoviç ka marrë mbështetjen e grupit tjetër që është kundër presidentit dhe kërkon shkakrimin e tij.

Lexo me shume