E mbijetuara e Holokaustit, ndërron jetë Zilli Schmidt

Ajo dëshmonte gjithmonë se “çfarë kishte ndodhur me sintit” dhe paralajmëronte nga rreziku i neonazistëve. Zilli Schmidt ishtë një nga të mbijetuarat e fundit të gjenocidit nazist ndaj sinti dhe romëve.

“Kam qenë në tre kampe. Një prej tyre ishte Aushvic-Birkenau. Kampi që në të vërtet ishte për të vrarë.” Zilli Schmidt ishte mbi 90 vjeç, kur filloi të rrëfejë publikisht për historinë e saj të persekutimit. Ajo botoi edhe një libër. “Zoti kishte diçka parasysh me mua. Kujtimet e një sinteje.” Premtimi i saj ndaj lexuesve. “Për sa kohë të jem këtu, do t’ua rrëfej historinë time deri sa të mbyll sytë dhe të shkoj tek Zoti im.” E këtë premtim e mbijetuara e Holokaustit e mbajti. Në vitin 2021 ajo mori Kryqin e Meritës të presidentit gjerman për angazhimin e saj kundër urrejtjes, përjashtimit dhe ekstremizmit të djathtë. Kur kreut të bashkisë së Manhaimit që ia dha dekoratën iu desh pak më shumë kohë për ta fiksuar, ajo i tha miqësisht. “Zilli nuk dorëzohet.”
Zilli Schmidt nuk u dorëzua asnjëherë. Gruaja e vogël e imët me besim të fortë ishte e bindur se ajo i kishte mbijetuar për një fije terrorit nazist për të rrëfyer më vonë gjenocidin nazist mbi sinti dhe romët. Zilli rrëfente për fëmijërinë e lumtur pas lindjes si Zilli Reichmann në Tyringji, për udhëtimet me familjen dhe ofendimet në shkollë. Në luftë vëllai i saj i shërbente Wehrmachtit. Por kjo nuk e mbrojti familjen nga përndjekja e nazistëve. Ajo bashkë me kushërirat u kap në Straßburg. “Vepra penale: cigane”, ishte shënuar nga policia. Nga kampi i parë i përqëndrimit Lety në Böhmen ajo ia doli të arratiset.

Zilli Schmidt nderohet me Kryqin e Meritës

Me rrezik për jetën
Por në mars 1943, Zilli në moshë të re, u dërgua e para nga familja Reichmann në të ashtuquajturin “kamp i familjeve të ciganëve” në Aushvic-Birkenau. Për të ndihmuar fëmijët dhe të tjerët ajo rrëfente se ka vjedhur shumë, patate në kuzhinë, çizme në depo duke rrezikuar edhe jetën. Edhe familja e saj erdhi në Aushvic, bashkë me vajzën Gretel. Aty u përballën me dhunë, me uri, me plumba ndaj të fëmijëve të vegjël, vrasje masive. Zilli ishte e vetmja në familje që më 2 gusht 1944 nga Aushvic u deportua në kampin e përqëndrimit Ravensbryk. Aty ajo mësoi se të gjithë të mbeturit në kampin e ashtuquajtur “kampi i ciganëve” ishin vrarë në dhomat e gazit: prindërit, motra Guki me fëmjët, vajza e saj katër vjeçare, Gretel. Vetëm në këtë natë SS-t vranë rreth 4300 njerëz që qanin dhe bërtisnin, një ditë tmerri e gjenocidit nazist ndaj sinti dhe romëve në Europë.
Foto e e vajzës, Gretel

“Rinia nuk ka mësuar ende”
Më 2 gusht 2018, 74 vite me vonë ajo foli për herë të parë publikisht për jetën e saj, për vrasjen e sinti dhe romëve në ceremoninë përkujtimore në Berlin për gjenocidin ndaj sintit dhe romëve. Zilli ishte e gëzuar që kishte shumë të rinj. “Rinia nuk ka mësuar ende, nuk e ka mësuar këtë në shkollë”. Nuk ishte e lehtë për Zillin të rrëfente historinë e saj. E mbijetuara vuante nga depresione dhe ëndrra makthi. Në një bisedë me Deutsche Welle në vitin 2020 ajo tha me zë të bindur se detyra ime është të rrëfej, se çfarë kanë bërë nazistët me ne. “Ata u vranë të gjithë me gaz, familja ime, të gjithë njerëzit  e mi.” Pas lufte gati askush nuk e dinte këtë. Zilli Schmidt nuk e kishte të lehtë pas çlirimit nga nacionalsocializmi në vitin 1945. Ajo luftoi me vite me autoritetet gjermane për “dëmshpërblimin”, një kompensim financiar për vuajtjen dhe padrejtësinë e bërë. Pas shumë vitesh luftë burokratike ajo mori pak dëmshpërblim. Vetëm në vitin 1982 Gjermani pranoi përndjekjen raciste kundër pakicës më të madhe europiane.

Gati një shekull ajo u përball me përvojën e përjashtimit dhe përndjekjes si grua sinti. Në vitin 2020 tha para fëmijëve: “të dashur fëmijë duhet të jeni të fortë”, duke shtuar se jetojmë në kohë të këqija, hitlerianët veprojnë. Romeo Franz, sinti i parë në Parlamentin e europian, po ashtu pasardhës i atyre që u vranë në Aushvic i dha asaj premtimin se do të angazhohet kundër ekstremizmit djathtist nacionalist dhe urrejtjes kundër ciganëve. Vetë Romeo Franz e ka përjetuar diskriminimin si fëmijë kur kthehej nga shkolla dhe e fyenin “cigan i pistë”.

Të mos harrohet se çfarë ka ndodhur me sintit
Zilli Schmidt megjithatë dinte të jetonte dhe e përballonte jetën me shumë humor. “Nuk janë të gjithë nazistë. Ka shumë njerëz të mirë, tha ajo e pyetur se si ia del të jetojë në shoqërinë e shumicës me përvojën e saj. Tani Zilli Schmidt ndërroi jetë në spital në moshën 98 vjeçare në një spital në Manhaim. Librin e saj ajo e ka përfunduar me fjalët. “Dua që bota ta dijë se çfarë ka ndodhur me sintit. Dua të që ta dinë, se çfarë ka ndodhur në kampe, se çfarë kanë bërë me fëmijët. Dua që ta dinë si është të vazhdosh të jetosh edhe kur ke humbur gjithçka që ke dashur. Këtë dua t’ua them, sa të mundem. Dua që njerëzit edhe më vonë të lexojnë dhe të mos harrojnë. Por tani, tani Zilli po i jep fund.”/ Deutsche Welle

Top ChannelLexo me shume