Egnatia ngre Kupën e Shqipërisë, Tirana feston pjesëmarrjen në Evropë

Egnatia mbron fronin e fituesit të Kupës së Shqipërisë dhe i bën një dhuratë të çmuar Tiranës: pjesëmarrjen në Conference League sezonin e ardhshëm.
Për të dytin vit radhazi, rrogozhinasit bëjnë të tyrin trofeun e Kupës, pasi mposhtën 1-0 në finale Kukësin, që nuk ia doli ta “zbuste” disi zhgënjimin e rënies në Kategorinë e Parë pas 12 sezonesh në elitë.
Skuadrës verilindore nuk i mjaftoi dëshira në “Air Albania” përballë një ekipi ndjeshëm më cilësor e që jo më kot merr pjesë në “Final Four” si skuadra e renditur e para pas 36 javësh.
Diferencat ranë në sy që në fillim të takimit, teksa në minutën e 9-të Montenegro vuri në provë Tafasin nga distanca.
Tjetër mundësi e mirë për Egnatian pasi kishte kaluar gjysmë orë lojë (31’), por topi, shkon pa rrezikshmëri të lartë në duart e portierit të Kukësit.
Nuk do të zgjaste shumë deri në zhbllokimin e rezultatit: në të 38-tën Edison Nderca përmbyll me gol një aksion model të skuadrës rrogozhinase.
Ndërkohë nuk munguan as surprizat në shkallët e stadiumit ku tifozët e Rrogozhinës shpalosën pankartën në kujtim të kapitenit të tyre Rafael Duamena i cili humbi jetën në fushën e lojës, kur Egnatia luante përballë Partizanit.
Triumfi i Egnatias me rezultatin 0-1 në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Kukësit, ka gëzuar edhe Tiranën, që ka arritur të sigurojë kështu një “biletë” për në arenën Europiane që përkthehet në 325 mijë euro automatikisht në klub.
Pra bardheblutë tashmë falë këtij verdikti kanë të sigurt 325 mijë euro nga pjesëmarrja Europiane, teksa kjo shifër mund të dyfishohet në varësi të ecurisë në Europë.
Edhe pse u renditën në vendin e pestë, bardheblutë e Erbin Fagu, falë edhe dënimit të Skënderbeut do të kenë shansin e artë për t’u përfaqësuar në Ligën e Konferencës.
 (VIDEO)
(VIDEO)
(VIDEO)
 
 
 

Burimi